Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj falënderon ambasadorin Jeffrey Hovenier për kontributin në Kosovë
Ish-ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, thotë se çdo sukses i FSK-së dhe dikasterit që ai ka udhëhequr, në këto vite ka vulën e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së SHBA-së për Kosovën.
Ai kështu u shpreh përmes një postimi në Facebook, pasi në fund të këtij muaji përmbyllet misioni i ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, ku edhe e falënderoi këtë të fundit për kontributin e dhënë.
“Gjatë mandatit të tij, pata nderin dhe kënaqësinë që të punoj ngushtë me Ambasadorin Hovenier, sidomos në kohën kur shërbeva si ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Ai ishte dhe mbetet një mik i madh i popullit shqiptar dhe një mbështetës i palëkundur i Kosovës”.
“Me Ambasadorin Hovenier, kemi punuar krah për krah për të përforcuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, diplomacin, ministrin e Mbrojtjes dhe për të realizuar projekte të jashtëzakonshme që sot mbeten krenaria jonë kombëtare. Çdo sukses i FSK-së dhe MM-së, çdo arritje e saj në këto vite, ka vulën e bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe mbështetjes së SHBA-së për Kosovën”.
Mehaj tutje tha se në çdo hap të rëndësishëm për Kosovën, Hovenieri ka qenë krahë për krahë me ne.
“Në çdo hap të rëndësishëm për Kosovën, në çdo sfidë që kemi kaluar, Ambasadori Hovenier ka qenë krah për krah me ne, duke e bërë të mundur që miqësia e Kosovës dhe SHBA-së të jetë më e fuqishme se kurrë. Krenar që pata mundësinë të punoj me të dhe që Kosova ka miq të përkushtuar si Ambasadori Hovenier”.
Ish-ministri u shpreh krenar që së bashku arritën të ndërtojnë dhe forcojnë ushtrinë e vendit, siç thotë ai në kohë rekord.
“Jam krenar që bashkë me SHBA-në kemi arritur të ndërtojmë dhe forcojmë ushtrinë e Kosovës në kohë rekord. Ky partneritet, i bazuar në besim dhe vlera të përbashkëta, do të mbetet themeli ynë për suksesin e ardhshëm”.
Mehaj tha Kosova do ta mirëpres gjithmonë Hovenierin, me respekt dhe mirënjohje.
“Ambasador Hovenier, Kosova do t’ju mirëpresë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje. SHBA-të kanë qenë, janë dhe dotë mbeten aleati ynë kryesor. Miqësia jonë shekullore do të vazhdojë të jetojë për shumë shekuj të tjerë”.
“Krenar për ju, miku im, miku i kosovës Ambasador Hovenier! Faleminderit për shërbimin tuaj të jashtëzakonshëm dhe për të gjitha ato që keni bërë për Kosovën!".