Haradinaj: Dita e Veteranit do të jetë festë zyrtare në Kosovë
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me veteranët me rastin e Ditës së Veteranit.
Në këtë takim, Haradinaj ka deklaruar se Dita e Veteranit do të shpallet festë zyrtare në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për nderimin e sakrificave të luftëtarëve të lirisë.
“Me krenari të veçantë, sot bashkë me bashkëluftëtarët nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë vëllain tonë Ali Ahmeti, ndamë momentet e lavdishme të luftës sonë të drejtë për liri. Ky takim dëshmon unitetin dhe forcën e pathyeshme të luftëtarëve të lirisë. Dita e Veteranit do të jetë festë zyrtare në Kosovë, si një hap i domosdoshëm për institucionalizimin e respektit ndaj atyre që flijuan gjithçka për lirinë,” ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar gjithashtu përkushtimin për përmirësimin e kushteve të veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, duke premtuar trefishimin e pensioneve për këto kategori.
Haradinaj shtoi se e ardhmja e Kosovës ndërtohet mbi vlerat e luftës çlirimtare.
“Kosova e lirë dhe e pavarur do të vazhdojë të ndërtojë të ardhmen e saj duke u mbështetur në këto vlera.”/Telegrafi/