Lekaj: Familjarët e VV-së s’po shkojnë më në dasma, janë rehatuar në institucione publike
Foto: Laura Hasani

Lekaj: Familjarët e VV-së s’po shkojnë më në dasma, janë rehatuar në institucione publike

Aktuale December 28, 2024 - 23:44

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ai ka mashtruar qytetarët në lidhje me premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, para katër vitesh.

Lekaj ka thënë se asnjë premtim i Kurtit, i përfshirë edhe në fletushkat qeveritare, nuk është realizuar.

Sipas tij, Kurti kishte premtuar luftën kundër nepotizmit, por, përkundrazi, ai ka shpërndarë pozita pune për anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë.

Deputeti ka akuzuar qeverinë Kurti për krijimin e bordeve të politizuara dhe departamenteve të mbushura me familjarë të punësuar, duke e cilësuar këtë një kundërthënie me atë që kryeministri kishte premtuar për të luftuar nepotizmin.

“Sa i përket premtimit të kryeminsitrit Kurti, unë them lirshëm se asnjë premtim që e ka dhënë gjatë fushatës dhe që e ka pas në atë fletushkën qeveritare nuk e ka realizuar dhe i ka mashtruar qytetarët, kur e them i ka mashtruar e bazoj në atë që ai ka kritikuar që familjarët janë për dasma dhe jo për punësime. Është e kundërta e asaj që ka premtuar dhe sot ne gjithë familjarët e zyrtarëve të lartë i shohim të punësuar i shohim nëpër borde dhe mund të them që në këtë drejtim i ka tejkaluar të gjitha parashikimet edhe atyre që ndoshta kanë menduar që Kurti me të vërtetë do ta lufton familjarizimin dhe mund të them që ka dështuar totalisht”, tha Lekaj.

“Ka ardh me mashtrime, po shkon me mashtrime, dhe kemi borde mjaft të politizuara kemi departamente te familjarizuara dhe që i ka punësuar familjarët, dhe nuk dihet nga familjarët a kanë kohë me shku në dasma sepse të gjithë i ka punësuar dhe mund të mbahet mend kjo qeveri për punsimin e familjarëve dhe punësimin nën petkun e partisë”, shtoi ai.

Lekaj ka theksuar se qytetarët janë të mençur dhe do të reagojnë përmes votës, duke shtuar se ndëshkimi më i madh për një politikan është humbja në zgjedhje.

Ai beson se qytetarët do të bëjnë zgjedhje të ndryshme krahasuar me vitin 2021, për shkak të dështimeve të qeverisë aktuale.

“Unë mendoj që qytetarët tanë janë mjaft të menqur, dinë me vlerësu punën, dinë me vendos, dinë me votu. Nëse nisemi nga ajo që është parë deri më tash nga kjo qeveri kanë me ndëshku me votë, mendoj që ndëshkimi më i madh për një politikan është vota. Unë mendoj që qytetari jonë ka me vendos ndryshe karhasuar me vitin 2021”, tha Lekaj për GazetaBlic.