Kurti: Të mirat dhe rritjen, po e ndajmë me qytetarët e për familjet
Kryeministri Albin Kurti, ka folur edhe sot për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët.
Kurti ka thënë se ndarja e shtesave prej 100 eurove ka ndodhur për herë të dytë për fëmijët dhe për herë të pesë për pensionistët, transmeton Zeri.info.
Ai ka thënë se për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën tre miliardë euro, duke arritur realizim 100% të planifikimit vjetor, ende pa përfunduar viti.
“Të mirat dhe rritjen, po e ndajmë me qytetarët e për familjet”, ka shkruar Kurti.
Shkrimi i plotë:
Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç e që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, përfituan nga shtesa e fundvitit në vlerë 100 euro. Kjo pra është hera e dytë që ndamë një shtesë të tillë mbështetëse për fëmijët tanë, krahas dyfishimit dhe trefishimit të shtesave mujore për ta që e bëmë në gusht të këtij viti.
Përfitues të shtesës prej 100 euro gjithashtu ishin edhe të gjithë pensionistët. Kjo është hera e pestë brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet tek pensionistët tanë, për të cilët krahas shtesave të njëhershme, kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit, fillimisht pensionin bazik dhe tash së fundmi për 20% për të gjithë kategoritë pensionmarrëse.
Për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën tre miliardë euro, duke arritur realizim 100% të planifikimit vjetor, ende pa përfunduar viti. Të mirat dhe rritjen, po e ndajmë me qytetarët e për familjet.