Profesori amerikan: Grenell mund të përfshihet në çështjet mes Kosovës e Serbisë
Foto: Laura Hasani

Profesori amerikan: Grenell mund të përfshihet në çështjet mes Kosovës e Serbisë

Aktuale December 28, 2024 - 10:12

Charles Kupchan, profesor amerikan, që dikur udhëhiqte çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, ka folur në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një prononcim për Tëvë 1, Kupchan ka vlerësuar se Donald Trump, president i zgjedhur i ShBA-së, dhe Richard Grenell, i emëruar emisar special për kriza, do të merren me dialogun.

“Presidenti i zgjedhur Trump do të vazhdojë përpjekjet që ai filloi gjatë mandatit të tij të parë për ta çuar topin përpara mes Serbisë dhe Kosovës. Atij i interesojnë vetëm marrëveshjet që i sjellin fitore. Ai dëshiron të tregojë se mund të bëjë marrëveshje që e bëjnë botën më të sigurt. Fakti që ai e ka emëruar Richard Grenellin si të dërguar për misione të veçanta nënkupton që ai mund të përfshihet sërish në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë” – ka thënë ai.

Tutje, ai ka bërë një vlerësim interesant, duke theksuar se nuk do ta quante të vdekur opsionin e shkëmbimit të territoreve.

“Nuk do ta quaja të vdekur idenë e shkëmbimit të territoreve sepse është gjithmonë një opsion. Ka shumë arsye se pse ky opsion duhet te merret në konsideratë sepse veriu vazhdon të paraqes shumë probleme për Kosovën. Pyetja është se a do ta mbështesin këtë opsion Kosova me Serbinë si dhe faktori ndërkombëtar” – ka theksuar Kupchan.