Sallahu: Veprimet e Listës Serbe antikushtetuese, presim që Supremja të marrë vendim meritor
Foto: Laura Hasani

Sallahu: Veprimet e Listës Serbe antikushtetuese, presim që Supremja të marrë vendim meritor

Aktuale December 27, 2024 - 16:25

Lëvizja Vetëvendosje, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që urdhëroi KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ankesa është dorëzuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili tha se ankesën dorëzoi në cilësinë e zyrtarit ligjor të këtij subjekti.

“Sapo e dorëzuam ankesën kundër vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme për faktin se sjelljet dhe veprimet e Listës serbe janë kundërligjore, kundër-Kushtetuese dhe si e tillë ne si subjekt politik kemi bërë ankesë kundër vendimit të PZAP-së dhe presim që Supremja të merr vendim meritor në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

“Jemi të vetëdijshëm që kjo ankesë nuk është komplet sipas standardeve procedurale të paraqitura deri më tash në Supreme, mirëpo duhet të themi se edhe veprimet anti-Kushtetuese të Listës serbe janë të nivelit të atillë që cenojnë sigurinë nacionale, andaj po kërkojmë nga Gjykata Supreme që mbi bazën e vlerësimit të saj që e bën të veprimeve kundërligjore dhe kundër Kushtetutës dhe të krijojë aso procedura që i përgjigjen situatës konkrete në terren që zakonisht këto situata tipike e një subjekti”, tha Sallahu.

Sallahu tha se presin që Supremja do të marrë vendim konform ruajtjes së sigurisë nacionale dhe kësisoj, sipas tij, të mos e lejojë Listën Serbe që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për vitin 2025.

“Unë jam përfaqësues i Zyrës Ligjore të VV-së dhe Zyra Ligjore e VV-së e ka hartuar këtë ankesë dhe po them se nuk është ankesë siç është dorëzuar mbi bazën deri më tani, mirëpo për shkak të veprime të jashtëzakonshme të Listës serbe dhe veprimet që konsistojnë me mbështetje të terrorizmit në Banjskë dhe me veprime tjera që i përgjigjen komplet veprimeve terroriste të Beogradit zyrtar, kemi kërkuar nga Gjykata Supreme të jap qëndrimin e vet mbi këtë situatë dhe besoj se Supremja duke u bazuar në sigurinë nacionale, do të marrë vendim konform ruajtjes së sigurisë nacionale dhe kësisoj të mos e lejojë Listën serbe që të regjistrohet si subjekt zgjedhor për vitin 2025”, deklaroi Sallahu.

Më 25 dhjetor, PZAP-ja aprovoi ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për të mos ta certifikuar atë. Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.