Peci prezanton programin e katërt për zhvillim rural “Grante 2024”, në vlerë prej 24 milionë eurove

Peci prezanton programin e katërt për zhvillim rural “Grante 2024”, në vlerë prej 24 milionë eurove

Aktuale December 27, 2024 - 13:22

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në një konferencë përmbyllëse të vitit për medie, ka njoftuar në lidhje me programin e katërt për zhvillim rural – "Grante 2024" në vlerë prej 24 milionë eurove.

Ai ka thënë se ky program përfshinë masa të reja dhe përmirësime të rëndësishme për sektorin bujqësor dhe rural në Kosovë.

Ministri Peci theksoi mbështetjen e veçantë për sektorin e drithërave me investime në mekanizim, me qëllim të uljes së kostove operacionale dhe rritjes së rendimentit.

Ai vuri në pah edhe përparësitë në Fondin Blegtoral, duke njoftuar se për dy vitet e fundit janë ndarë gjithsej 11.3 milionë euro për blerjen e lopëve qumështore.

Sipas tij, deri në vitin 2025, pritet të shtohen 2,000 krerë lopës dhe prodhimi i qumështit të arrijë në 12,200 ton në vit.

“Sot në këtë konferencë po shpalos para jush Programin e katërt për Zhvillim Rural- Grante 2024 në vlerë prej 24 milionë euro. Këtë vit, sektori i drithërave do të përkrahet me investime në mekanizim me qëllim të uljes së kostove operacionale dhe rritjes e rendimentit. Në këto dy vite, prioritet ka qenë rritja e Fondit Blegtoral. Kjo masë ka një vlerë prej 5 milionë euro ndërsa në total përmes Programeve të kaluara kjo mbështetje arrin në 11.3 milionë € për blerjen e lopëve qumështore 2023/2024. Deri në 2025 pritet shtimi i 2,000 krerëve dhe rritja e prodhimit të qumështit me 12,200 t/vit”, tha Peci.

Në këtë vit për herë të parë përmes PZHR-së, ai tha se do të zbatohet masa e re për sigurime bujqësore e cila do të mbulojë koston e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore.

“Angazhimi i një studenti/të posa diplomuari në Fakultetin e Bujqësisë, për kryerje te punës praktike tek përfituesit e projekteve mbi 50,000€ me pagesë (2100€ për 6 muaj, mbuluar 100% nga ministria). Gjithashtu, këtë vit është mundësuar edhe praktika e nxënësve të shkollave profesionale bujqësore. Zgjatja e periudhës së kontrollës në terren të përfitueseve të granteve: Nga 3 vite sa ka qenë më herët është bërë 5 vite. Risi tjetër është mos-financimi i investimeve të njëjta pa kaluar periudha e amortizimit të plotë sipas listës së ATK-së”, ka thënë ai.

Peci tha se vetëm fermerët-agrobizneset me qëndrueshmëri ekonomike mund të aplikojnë për projekte mbi 50,000 euro.

“Ndarja e projekteve ne dy kategori sipas qëndrueshmërisë ekonomike: deri në 50,000 euro dhe mbi 50,000 euro. Vetëm fermerët/agrobizneset me qëndrueshmëri ekonomike mund të aplikojnë për projekte mbi 50,000 euro, duke rritur përgjegjësinë menaxheriale dhe financiare. Nga secili program i granteve kemi larguar kriterin i përvojës 5-vjeçare për masën 3/Agro-përpunim, duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë aplikuesit dhe shmangur favorizimin e bizneseve të njëjta”, tha ai.

Peci ka njoftuar se diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve rurale do të zbatohet përmes GIZ-it, me financim 20.2 milion euro,  bashkëfinancim në mes të MBPZHR si dhe GIZ-it

“Dhënia e afatit shtesë (5 ditë) për plotësimin e aplikacionit me dokumentet e munguar që lëshohen nga AZHB dhe Ministria, duke shmangur refuzimet për këtë arsye. Ndërkaq Masa 7: Diversifikimi i fermave dhe zhvillimin e bizneseve rurale do të zbatohet përmes GIZ-it, me financim 20.2 milion €, bashkëfinancim në mes të MBPZHR dhe GIZ-it, ndërsa ne participojmë me 5 milionë edhe për vitin 2025”, tha Peci.