Kosovari i prekur me linë e majmunëve ishte në Afrikë
Në Kosovë është konfirmuar një rast i prekur nga lia e majmunësve apo e njohur si M-Pox.
Siç është bërë e ditur më datë 24.12.2024, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është pranuar një pacient 30-vjeçar nga Prishtina me manifestime të ndryshimeve lëkurore në formë ekzantemash vezikuloze, të shoqëruara me ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë, aksila dhe inguinum.
Nga të dhënat që janë marrë nga vet pacienti, ai ka qëndruar për 4 muaj në Afrikën Perëndimore, një zonë me rrezik të lartë për infeksion me M-Pox (Monkeypox).
Për këtë arsye, ai është izoluar menjëherë në dhomë të veçantë për trajtim dhe monitorim.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar sot se më datë 26.12.2024, pas marrjes së mostrave dhe analizave laboratorike, nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është konfirmuar pozitiv për M-Pox.
“Aktualisht, gjendja e përgjithshme e pacientit është stabile, dhe ai po trajtohet në përputhje me protokollet ndërkombëtare, jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin nga SHSKUK-ja.
Ata kanë treguar edhe për masat që janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së infeksionit:
Pacienti po trajtohet në kushte të veçanta për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Një punonjës shëndetësor që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin është izoluar dhe po diagnostikohet. Gjendja e tij është stabile.
Klinika Infektive disponon pajisje personale mbrojtëse (PPM), medikamente dhe dezinfektantë të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e personelit dhe pacientëve.
Janë forcuar masat e kontrollit të infeksionit dhe është bërë izolimi i repartit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
QKUK mbetet e angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor maksimal dhe parandalimin e përhapjes së infeksioneve. /Zëri