Kriza me rrymë sherri i subvencioneve për pajisjet efiçiente? Ja çka thotë Rizvanolli
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se është e pasaktë që të lidhet subvencionimi i pajisjeve efiçiente me ngritjen e ngarkesës në rrjetin energjetik pas problemeve të fundit me rrymën në vend.
“Ka pasë keqinformim. Nuk po them nga mediat, por në opinionin publik. Sigurisht që kur janë dizajnuar skemat e subvenciomit është menduar çdo detaj, prandaj që ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet efiçiente përveçse nëse jeni konsumator që është duke u ngrohur me energji elektrike me kalda, me pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër, nëse i shihni kriteret e skemës, këto kanë qenë kriteret e skemës”, tha ministrja pas një takimi me përfaqësuesit e KOSTT dhe KEDS.
Ajo tha se përfituesit e këtyre skemave kanë konsumuar 19% më pak mesatarisht sesa në vitin paraprak.
Rizvanolli tha se është rritur numri i konsumatorëve të rinj gjatë tri vjetëve të fundit.
“Numri i ndërtimeve të reja, numri i konsumtarorëve të rinj ka qenë tejet i lartë. 60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem përgjatë viteve të fundit dhe 8500 biznese. Të lidhësh subvencionimin e pajisjeve me ngritjen e ngarkesës thjesht është e pasaktë”.
Ajo shtoi se subvencionimi është bërë për familjet që kanë përdorur energji elektrike dhe e kanë pasë të vetmin opsion energjinë elektrike.
“Nëse duhet të shfrytëzohet energjia atëherë pajisja më e lirë”.
Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), dje për REL ka thënë se problemet me rrymën erdhën pasi edhe këtë dimër institucionet energjetike kanë qenë të papërgatitura, ndërsa masat e ndërmarra vitet e fundit kanë çuar në rritje të konsumit, duke mbingarkuar rrjetin energjetik.
“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente ka rezultuar që shumë konsumatorë të ndryshojnë mënyrat e ngrohjes, duke kaluar në ngrohje me energji elektrike, qoftë përmes investimeve në klima apo pompa termike. Kjo ka shtuar kërkesën për energji në sistem, sepse qytetarët kanë kaluar nga ngrohjet me lëndë djegëse tradicionale në ngrohje me rrymë”, tha ai./express