Kurti i dha fokus rezultateve të rëndësishme sportive në ceremoninë e fundvitit të Federatës së Sporteve Universitare
Pas ceremonisë së shpalljes së më të mirëve të këtij viti në Handboll, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Sporteve Universitare.
Në festën e arritjeve dhe përkushtimit të sportistëve tanë universitarë, Kurti i dha fokus rezultateve të rëndësishme sportive të Federatës së Sporteve Universitare, e cila nuk është një federatë shumë e vjetër sa i përket kohë së themelimit të saj, thuhet në njoftimin për shtyp nga zyra e kryeministrit.
“Krijimi i konkurrencës sportive ndërmjet universiteteve tona ka arritur si cilësinë, gjithashtu edhe rivalitetin pozitiv mes tyre dhe me këtë edhe studentët tanë po tregojnë kapacitetet e tyre në nivele të larta ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri.
Tutje theksohet se ai veçoi si një nga sukseset më të mëdha të arritur në lojërat evropiane universitare në sportin e karatesë, ku Kosova fitoi katër medalje: një medalje të artë në konkurrencën ekipore, dy medalje të argjendta e një të bronztë në konkurrencën individuale.
“Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe Elmedina Istogu ishin studentet tona që na bënë krenarë për këtë sukses madhor në sportin universitar duke treguar fuqinë e rinisë tonë përtej kufijve tanë”, i përgëzoi sportistet kryeministri Kurti, duke shtuar se beson fuqishëm në studentët dhe rininë tonë e cila janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Po ashtu, i uroi suksese edhe më të mëdha në vitin 2025 të gjithë sportistëve, që përfaqësojnë më të mirën që rinia e Kosovës mund të ofrojë.
Këtë vit Qeveria e Republikës së Kosovës ka lansuar programin “Sporti në shkolla”, nismë e cila synon fuqizimin e të rinjve përmes ndërlidhjes së arsimit me sportin dhe të sportit me shëndetin, ndërmjet bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Sportit Shkollor, thuhet tuje në kumtesën për media.