Kurti dhe Nagavci takuan përfitues të bursave studentore nga MASHTI
Foto: ZPK

Kurti dhe Nagavci takuan përfitues të bursave studentore nga MASHTI

Aktuale December 26, 2024 - 21:38

Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi studentë bursistë të bursave të financuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në sallën 1 Tetori, në ngjarje e organizuar nga MASHTI, Kurti para bursistëve të rinj tha se historia na tregon rëndësinë e madhe të studimit në arsimin e lartë, duke bërë të qartë ndikimin e shkollimit cilësor në realizimin e potencialit të plotë intelektual të njeriut. Ai shtoi se e gëzon pa masë vullneti i studentëve të rinj për të vijuar studimet, ashtu siç e gëzon prania e tyre në këtë takim të fundvitit.

“Me të marrë mandatin, Qeveria jonë ka ofruar mbështetje pa precedent për rininë në tërësi dhe posaçërisht për studentët. Si asnjëherë më parë kemi ofruar bursa për të gjitha nivelet e studimit brenda e jashtë vendit, si për studentët e shkëlqyer (gjithsej 5455 përfitues – disa prej të cilëve janë edhe këtu bashkë me ne sonte) ashtu edhe për ata në nevojë, përfshirë studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët nga radhët e komuniteteve të margjinalizuara (gjithsej 1882 përfitues – disa prej të cilëve po ashtu besoj se janë këtu sonte)“, u shpreh Kurti në adresimin e tij.

Image

Ai veçoi mbështetjen e qeverisë për vajzat dhe gratë përmes bursave STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, duke inkurajuar ato që këto fusha që tradicionalisht janë mbizotëruar nga djemtë – ku rezultati është rritja sistematike e numrit të studenteve në STEM brenda tri viteve akademike, me 6605 përfituese deri më tani.

Në kumtesën për media theksohet po ashtu se këtë vit, gjithashtu për herë të parë MASHTI ka ofruar bursa studimi në drejtimet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke e çuar numrin e aplikimeve për Gjuhë Shqipe nga 20 në vitin e kaluar në 105 sivjet, dhe për Letërsi Shqipe nga 6 në vitin e kaluar në 79 aplikime këtë vit; ku aktualisht janë 113 studentë që kanë përfituar.

Këtë vit po ashtu janë 19 studentë nga Shqipëria që studiojnë në Universitetin e Prishtinës, falë bursave të ndara enkas për ta nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thuhet tutje në kumtesë.

Kryeministri Kurti inkurajoi studentët që të studiojnë dhe mësojnë sa më shumë pasi që studimet universitare janë periudhë tejet e rëndësishme në jetë, është koha kur zhvillohen shkathtësitë akademike e profesionale, por njëkohësisht është periudha kur merr hov jeta sociale me miqësi dhe bashkëpunime frytdhënëse.

Ndërkaq, ministrja Nagavci tha se potenciali rinor i Kosovës është tipari më i dalluar i ynë si vend evropian dhe se ky potencial mbështetet me të gjitha format e mundshme dhe në vazhdimësi nga qeveria.

Image