Kurti vizitoi hapësirat e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, ku u bënë investime në efiçiencë të energjisë elektrike
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas vizitës së Repartit të rinovuar të Hemodializës në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, në oborrin e spitalit, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe menaxhmentin e spitalit, panë nga afër investimet në efiçiencë të energjisë elektrike, që janë bërë në disa prej objekteve të këtij spitali.
Sipas njoftimit, bëhet e ditur se investimet në efiçiencë të energjisë elektrike përfshijnë rinovimin e ngrohjes qendrore, dhe termoizolimet e mureve, dyerve, dritareve dhe kulmeve, si dhe ndriçimin e objekteve, me qëllim sigurimin e mjedisit më të përshtatshëm të punës dhe kursimin e energjisë elektrike.
“Vetëm në Komunën e Prizrenit investimet e këtij lloji arrijnë vlerën e mbi 1.3 milion eurove në shtatë objekte publike, që përfshijnë shkolla, fakultete, objekteve spitalore dhe të administratës. Kurse në rajonin e Prizrenit në përgjithësi vlera totale kap shumën prej afër 2 milionë euro të investimeve dhe përfshijnë gjithsej 20 ndërtesa publike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Kurti falënderoi drejtuesit, punonjësit shëndetësorë dhe stafin e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit për punën e vazhdueshme, bashkëpunimin e mirë dhe mikpritjen e ngrohtë. /Zëri