Kushtetuesja thotë se shkarkimi i Agron Bekës nga Kuvendi është në përputhje me ligjin
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja thotë se shkarkimi i Agron Bekës nga Kuvendi është në përputhje me ligjin

Aktuale December 26, 2024 - 14:15

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i 15 dhjetorit të vitit 2023 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial, Agron Bekës, nuk është në kundërshtim me kompetencat e Kuvendit.

Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se aktgjykimi sqaron që Beka ishte shkarkuar nga Kuvendi bazuar në rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, në të cilin ishin listuar arsyet për ushtrimin e funksionit të tij “… në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij”.

“Në rrethana të tilla, në të cilat Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët joprokurorë të Këshillit Prokurorial dhe ka shkarkuar një anëtarë joprokurorë bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, duke përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes vendimit të kontestuar nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të Nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Shkarkimin e Agron Bekës nga Kuvendi i Kosovës e pati dërguar për vlerësim të kushtetueshmërisë në Gjykatën Kushtetuese deputetë të Grupit Parlamentar të PDK-së.