Haradinaj kritika për mungesë të energjisë: Kur e morën pushtetin, bënin hajgare me “bojlera e filtera”
Foto: Laura Hasani

Haradinaj kritika për mungesë të energjisë: Kur e morën pushtetin, bënin hajgare me “bojlera e filtera”

Aktuale December 26, 2024 - 10:47

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas problemeve të raportuara me furnizim me energjinë elektrike.

Haradinaj e ka quajtur qeverinë “Kurti” si “qeveria e territ”, ndërsa ka thënë se dikur e njëjta kishte kundërshtuar projektet që, sipas tij, do të siguronin furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, transmeton Zeri.info.

“Kjo qeveria e territ, ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë, projektin e kontraktuar të termocentralit ‘Kosova C’, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh, ishte i lartë e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro;

E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij;

U përfshinë në tregti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës;

Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me ‘bojlera e filtera’”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se Qeveria tani po mundohet të fajësojë KEDS-in.

“Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i;E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë;Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë”, ka shkruar kreu i AAK-së. /Zëri