Kosova i kundërpërgjigjet Serbisë, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

Kosova i kundërpërgjigjet Serbisë, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

Aktuale December 25, 2024 - 20:27

Kosova ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të ngjashme të Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Sipas MPJD-së, ky vendim është marrë pas veprimeve të përsëritura të Qeverisë së Serbisë për të refuzuar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, veçanërisht në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Ky qëndrim i Serbisë është ashpërsuar muajve të fundit dhe bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat zyrtare”.

Ristiq kishte planifikuar të qëndronte në Kosovë nga 24 deri më 26 dhjetor, por kërkesa e tij u refuzua.

Më herët, gjatë 25 dhjetorit, MPJD-ja njoftoi se Serbia i kishte refuzuar ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkesën për një vizitë dyditore në jug të Serbisë, në komunat me shumicë shqiptare.

Sveçla kishte planifikuar të vizitonte Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin më 23 dhe 24 dhjetor për t’u takuar me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës. Por, Serbia e refuzoi kërkesën, duke përmendur si pretekst qëndrimet dhe veprimet e tij, të cilat sipas Beogradit janë kundër komunitetit serb dhe normalizimit të raporteve.

MPJD-ja ka theksuar se Serbia, në dy vitet e fundit, ka refuzuar vazhdimisht vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës, përfshirë edhe ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, më 19 dhjetor, dhe ministren Donika Gërvalla më 27 shkurt.

MPJD e Kosovës i ka cilësuar këto veprime si përpjekje të Serbisë për të mbajtur tensionet në një nivel të lartë dhe për të shkaktuar konflikte.

“Aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë,” thuhet në deklaratë.

Edhe Kosova, nga ana e saj, ka refuzuar kërkesa për vizita nga zyrtarët serbë.

Në maj të këtij viti, Kosova nuk e lejoi patriarkun serb Porfirije dhe disa priftërinj të tjerë të vizitonin vendin.

Po ashtu, kërkesa e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, u refuzua në të njëjtin muaj.

Vizitat zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohen nga një marrëveshje e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Procedurat për këto vizita kërkojnë paralajmërim përmes zyrtarëve ndërlidhës dhe autorizim nga autoritetet përkatëse.