Shqipëri: Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 efektivë
Rreth 8 mijë efektivë policie në Shqipëri të rolit bazë pritet të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Qeveria po diskuton të ndaje shumën 10 ose 15 mijë lekë, në vendimin që do të marrë formë brenda javës.
Në administratën publike, shpërblim për festat e fundvitit pritet të marrin edhe policët.
Dhënia e bonusit për efektivët është diskutuar prej ditësh, për rreth 8 mijë efektivë policie të rolit bazë.
Qeveria nuk e ka marrë ende vendimin me faturën financiare që do të shpallë për forcat e rendit, por diskutimet individuale përcaktojnë një shumë në vlerën e 10 ose 15 mijë lekëve.
Deri më tani shpërblimi i fundvitit është miratuar në administratë për pozicione të tilla si shoferë, sanitare, punonjës protokolli e punonjës arkivi.
Nëse në strukturën e policisë, do të ndiqet e njëjta filozofi, nga shpërblimi do të përjashtohen disa shkallë hierakike që i përkasin posteve drejtuese, ose rreth 4000 mijë punonjës.
Ndërkohë, efektivët e Policisë së Shtetit tashmë kanë kaluar në shërbim 12 orarësh dhe gatishmëria do të zgjasë deri më 3 janar, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festave të fundvitit. /euronews.al