Kushtetuesja e Speciales hedh poshtë ankesën e Thaçit për shkeljen e të drejtave themelore

Kushtetuesja e Speciales hedh poshtë ankesën e Thaçit për shkeljen e të drejtave themelore

Aktuale December 25, 2024 - 14:04

Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me pretendimet për shkeljen e të drejtave themelore.

Sipas vendimit, referimi kishte të bënte me regjimin e masave hetimore të posaçme të vendosura nga gjykatësi i vetëm ndaj të akuzuarit gjatë paraburgimit vitin e kaluar.

Thaçi kishte pretenduar se me vendosjen e masave, ishin shkelur nene të caktuara të Kushtetutës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.

Ai gjithashtu ishte ankuar se monitorimi i bisedave të tij jo të privilegjuara ka cenuar të drejtën e tij për privatësi dhe disa aspekte të garantimit të gjykimit të drejtë.

“Paneli përcaktoi se ankesa e Thaçit nuk ka demonstruar shkelje të së drejtës së tij kushtetuese për privatësi dhe rrjedhimisht vendosi se ky aspekt i referimit ishte i papranueshëm, në përputhje me rregullën 14 (f) të Rregullores së punës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (Rregullorja e DHSGJK-së)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, paneli ka konstatuar se ankesa e Thaçit lidhur me të drejtën për avokat dhe të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, është e papranueshme.

“Paneli konstatoi se këto ankesa janë të parakohshme, duke pasur parasysh se nuk ka filluar asnjë procedurë gjyqësore në lidhje me këtë çështje dhe nuk ka pasur një vendim përfundimtar lidhur me akuzat”, thuhet në njoftim

Sipas njoftimit, nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme juridike në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin dhe Rregulloret e DHSK-së. /betimiperdrejtesi