Takim mes ME-së, KOSTT-it dhe KEDS-it: Konsumi i energjisë tejet i lartë, qytetarët të kursejnë

Takim mes ME-së, KOSTT-it dhe KEDS-it: Konsumi i energjisë tejet i lartë, qytetarët të kursejnë

Aktuale December 25, 2024 - 11:27

Mbrëmë në orët e vona Ministria e Ekonomisë tha se bashkë me KOSTT-in dhe KEDS-in mbajtën një takim të përbashkët për të trajtuar situatën e furnizimit me energji elektrike “pasi qytetarët e disa komunave të Kosovës kanë raportuar ankesa gjatë ditëve të fundit”.

Ministria thotë se ka pasë konsum të lartë të energjisë dhe se për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin.

“KOSTT-i dhe KEDS-i raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MË në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin”.

Ministria tha se vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara.

“Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve”.

Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë thotë se probleme të ngjashme ka pasur në Fushë-Kosovë, por me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, “është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune”.

“Gjatë javës në vijim pritet që të përfundojë ndërtimi i nënstacionit të tretë në Ferizaj nga KOSTT-i, gjë që do të zgjidhë problemet e furnizimit në këtë komunë dhe do të lehtësojë ngarkesën edhe në vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e ndërlidhura me këtë nënstacion”.

Në tremujorin e parë të vitit 2025, Ministria thotë se investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji.

“Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit”, thuhet në njoftim, derisa Ministria e Ekonomisë pati edhe një thirrje për qytetarët.

“Përgjatë javës në vijim, për të ndihmuar sistemin elektro-energjetik, lusim qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në konsumin e energjisë, sidomos gjatë orëve të paradites nga ora 09:00-12.00 dhe pasdites nga ora18:00-00:00. Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë. Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës”.