Kurti: Lista Serbe ka qenë fort problematike edhe para sulmit në Banjskë
Foto: Laura Hasani

Kurti: Lista Serbe ka qenë fort problematike edhe para sulmit në Banjskë

Aktuale December 24, 2024 - 18:03

Kryeministri Albin Kurti, gjatë një konferencë për media ka thënë se Lista Serbe ka qenë fort problematike, edhe para se të ndodhte sulmi në Banjskë.

“Mos të harrojmë se edhe para sulmit terrorist në Banjskë, Lista Serbe ka qenë fort problematike, përshkallëzimi i situatës vjen kur ata me urdhër nga Beogradi dhanë dorëheqje në Prokurori, Gjyqësi, në komuna atje, dhe nga Parlamenti i Kosovës më 5 nëntor 2020. E kur kësaj ia shtojmë edhe sulmin terrorist në Banjskë i cili është kryer nga nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq, i cili vazhdon edhe sot të jetë defacto shefi i Listës Serbe, sepse eksponentët e Listës Serbe, takohen me Radojiçin në Serbi, marrin urdhra prej tij, është e qartë qëndrimi ynë si Lëvizje Vetëvendosje që kemi përfaqësuesit në KQZ nuk ka mundur të jetë ndryshe”.

Ai tutje deklaroi se Kosova ka një polic të vrarë – Afrim Bunjakun, ndërkaq në anën tjetër Milan Radojiçiqi gjendet i lirë në Serbi, duke planifikuar sulme të reja, raporton Klankosova.tv

“Ne të njëjtën kohë ne edhe kemi alarmuar se çfarë po ndodh se e kemi policin e vrarë Afrim Bunjakun, kemi fëmijët e tij jetima, dhe në anën tjetër kemi Radojiçin në liri, në Serbi, i cili planifikon sulme të reja, e disa prej tyre edhe i realizon, ndonëse është i pakënaqur me dëmin që na ka shkaktuar sikurse ky më 29 nëntor në kanalin Ibër-Lepenc”.