Gucati përfundon dënimin nga Specialja: Vendim i padrejtë, çdoherë do të jem në mbrojtje të vlerave të luftës dhe Kosovës
Hysni Gucati, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, ka përfunduar dënimin prej 4 vjetësh e tre muajsh.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Gucati përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar edhe se për këtë ai është njoftuar nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se sot është njoftuar nga Gjykata Speciale se e ka përfunduar dënimin prej katër vjetësh e tre muajsh burgim.
Postimi i plotë:
Sot u njoftova nga Gjykata Speciale përmes avokatëve që kam përfunduar dënimin prej katër vjetësh e tre muajsh, dënim që ishte ulur nga 4 vjet e 6 muaj, i tërë vendim ishte i padrejtë.
Gjatë këtyre 4 vjetëve nuk mund të isha pranë familjes dhe atdheut tonë të dashur Kosovës, gjatë qëndrimit në Hagë në Kosovë dhe në familje ndodhën një mori ngjarjes, ajo që më goditi më së shumti ishte vdekja e babës, i cili ndërroi jetë sa isha në Hagë.
Gjatë qëndrimit në Hagë së bashku më shokët dhe bashkëluftëtaret i qëndruam pranë njëri-tjetrit dhe secili nga ne treguam zotësi të vërtetë dhe qëndruam ballëlartë dhe krenarë për veprat tona, asnjëherë nuk u dorëzuam, por liria ime nuk mund të jetë liri e plotë pa shokët, duke filluar nga Baca Jakup, Hashimi, Kadriu, Rexha Cali e Pjetri, të cilët janë të pafajshëm dhe i duhen më shumë se kurrë Kosovës sot.
Faleminderit gjithë atyre që më qëndruan pranë mua dhe familjes time gjatë kësaj periudhe.
Çdoherë do të jem në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Kosovës.