Përurohet Shërbimi për Frytnim të Asistuar Mjekësor në QKUK
Sot u përurua Shërbimi i ri i Frytnmit të Asistuar Mjekësor, në Klinikën e Gjinekologjisë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti deklaroi se inaugurimi i këtij shërbimi, pra mundësisë për fertilizim të asistuar, do t'i bëjë të lumtura shumë çifte në Kosovë. Ai pa nga afër aparaturën moderne, e cila arrin koston rreth dy milionë euro.
“Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, gjysma është prej SHSKUK-së, me ç'rast vetëm aparatura e laboratorit të embriologjisë është mbi një milion euro dhe përveç kësaj, ishin edhe dy ultrazë të rinj, si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histeroskopisë e laparaskopisë”, njoftoi Kurti.
Nga Klinika e Gjinekologjisë kryeministri Kurti u bëri thirrje të gjitha çifteve, të cilat dëshirojnë që të bëhen prindër, sepse pas këtij investimi të përbashkët tash kanë një adresë publike, moderne dhe cilësore.
Shërbimi i Frytnimit ose Fertilizimit të Asistuar Mjekësor do të jetë falas për dy herët e para, ndërkaq pas dy herëve të para ai do kushtojë 670 euro, dukshëm më lirë se shërbimi në sektorin privat që ka çmimin rreth 3 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se punën më të madhe e ka bërë reparti, sidomos kjo klinikë me drejtorin Zef Ndrejaj, për çka falënderoi gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën e shkëlqyer që po e bëjnë.
Ngjashëm, përgëzime për punën pati edhe kryeministri, i cili falënderoi stafin dhe në veçanti shefin e repartit Leandrit Bejtullahun për punën dhe kontributin ndër vite.
“Sidomos tash i përgëzoj që kanë fituar këtë investim, këtë aparaturë që do të bëjë të mundur të bëj të lumtur shumë çifte nga anë e mbanë vendi ynë, të cilat do të vijnë këtu e të cilët kanë vuajtur shumë, sepse kanë dashur që të bëhen prindër, të bëhen baba e nënë, por nuk kanë mundur, tash e kanë adresën, e cila e garanton shërbimin publik edhe cilësor”, e përmbylli fjalën kryeministri.
Në këtë inaugurim, bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, të pranishëm ishin edhe drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Zef Ndrejaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, deputetët e Kuvendit, Haxhi Avdyli dhe Fatmire Kollçaku, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi. /Zëri