Toshkovski: Nga asnjë vend fqinj për momentin s’ka konfirmim zyrtar se ku është Grubi
Deri në këtë moment asnjë shtet fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e Maqedonisë për qëndrimin e mundshëm të ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi. Kështu deklaroi mbrëmë shefi i MPB-së, Pançe Toshkovski, në një intervistë për televizioninTelma, duke shtuar se MPB-ja e Maqedonisë ka komunikim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me MPB-të e vendeve fqinje, por për momentin nuk ka marrë konfirmimin e duhur nga asnjëri prej tyre në lidhje me qëndrimin e Grubit.
Ai ka thënë se nuk do të donte të spekulonte për vendndodhjen aktuale të ish-zëvendëskryeministrit dhe se do të donte t’i besonte asaj që deklaroi publikisht se do të kthehet në vend sepse është i pastër si loti.
“Dëshiroj të besoj se deklarata që ai po bën është në atë drejtim – se ai ka pasur realisht obligime private aty ku ka shkuar, se do të raportojë në Maqedoni dhe se do të ndërmarrë veprimet e duhura në kuadër të këtij procesi që procedohet kundër tij. Ministria e Brendshme ka kapacitet për të garantuar sigurinë e tij. Nëse një person është marrë kaq gjatë me politikë, më e pakta që mund të bëjë është që t’i shtyjë obligimet e tij private, nëse ka pasur, të kthehet në Maqedoni dhe të dëshmojë tezat e tij mbrojtëse në procedurë ligjore”, tha Toshkovski.
I pyetur nëse ka pasur informatorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose në Prokurori, pra informatorë të mundshëm të Artan Grubit që e kanë informuar se duhet të largohet nga vendi, ministri tha se ka hetim, por nuk mundet të ndajnë informacion me publikun.
“Për momentin nuk mund të zbuloj fakte në këtë procedurë hetimore dhe nuk është koha për t’i bërë publike. T’ia lëmë procedurës dhe procesit ligjor të drejtësisë dhe për këtë duhet kohë dhe hetim i thellë”, tha Toshkovski.
Lidhur me policin në pikën kufitare “Bllacë”, i cili ka lëshuar Grubin në kufirin me Kosovën, Toshkovski ka thënë se ka bërë gabim të madh duke mos e njoftuar prokurorin në fjalë se personi në listën e ndalimit ka dashur të largohet nga vendi.
“Sikur të kishte njoftuar në momentin e ndalimit, sepse ka të drejtë të ndalojë dikë që është në listën e ndalimit, prokurori publik do të kishte dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme – nëse do të siguronte vendim gjyqësor, a do ta thirrte personin për intervistë, a do të thoshte se është i lirë dhe se mund të dalë, kjo është kompetencë e tij. Ishte detyrë e policit të ruante fytyrën. Është një procedurë ligjore formale që duhet të zbatohet për të thënë se në këtë procedurë po veprojmë në përputhje me ligjin. Por, për fat të keq, zyrtari policor, i cili kontrollon pasaportën e personit në fjalë, e cila është konstatuar me video incizim, pasi e kontrollon pasaportën, ia kthen atë dhe i drejtohet pikës kufitare të Kosovës”, ka shtuar ministri.
Pas pak minutash zyrtari ka konstatuar se Grubi ishte në listën e ndalimit dhe në atë moment ka ndërmarrë veprime për raportim, por nuk e ka ndaluar.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore” Përparim Bajrami akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë dinarë.