Kryeministri Kurti mori pjesë në promovimin e monografisë së Klubit të Futbollit Prishtina, kushtuar 100-vjetorit të themelimit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të promovimit të monografisë së parë të Klubit të Futbollit Prishtina, kushtuar 100-vjetorit të themelimit të klubit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj ngjarjeje, për të promovuar jo vetëm një libër monografik, por edhe për ta kujtuar një histori me plot suksese e krenari të klubit të futbollit Prishtina.
“Futbolli në Kosovë ka rrënjë të thella historike”, tha ai, duke sjellë në kujtesë vitet pas Luftës së Parë Botërore, atëbotë kur filluan të krijoheshin e të organizoheshin klubet e para futbollistike në Kosovë, në mesin e të cilëve ishte edhe Klubi i Futbollit Prishtina, i themeluar në vitin 1922, që dikur mbante edhe emrin “Kosova”.
“Atëherë kur nuk kishim e nuk lejohej të kishim përfaqësuese të Kosovës, klubi Prishtina ishte përfaqësuesja jonë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se momentet më kulmore të këtij klubi, i kujtojmë në vitet e 80-ta, me gjeneratën e artë të Prishtinës, me në krye kapitenin Fadil Vokrri dhe padyshim me shokët e tij, gjeneratë kjo që bëri bujë të madhe duke u bërë klubi i parë nga Kosova që garoi në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë në stinorin 1983-1984.
Me këtë rast, kryeministri ka kujtuar jo vetëm sfidat sportive në fushat e blerta, por edhe sfidat tjera politike e sociale jashtë fushe nëpër të cilat kishte kaluar FC Prishtina, për të cilat tha se e bënë më të fortë Prishtinën, duke qëndruar e duke garuar për pesë vite rresht në Ligën e Parë.
Pasi foli për vështirësitë, por edhe sukseset e vazhdueshme të FC Prishtina, kryeministri Kurti mes tjerash theksoi se edhe pas ndërkombëtarizimit dhe pranimit në FIFA dhe UEFA më 2016, ishte Prishtina ndër skuadrat e para nga Kosova që përfaqësoi vendin tonë në garat evropiane.
“E gjithë kjo histori me shumë suksese, sot është shndërruar në një libër monografik dhe nuk është e çuditshme që ai libër është aq i trashë, i dendur me informacion e me tekst të shumtë”, tha ai, duke falënderuar autorin Esad Ejupi, për angazhimin dhe përkushtimin e tij me plotë pasion për ta shkruar një libër të tillë që na bënë ta kujtojmë e mos ta harrojmë historinë e suksesshme sportive në vendit tonë, që ka qenë edhe më shumë sesa sportive.
Ai falënderoi edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që dha mbështetjen e nevojshme që ky libër të botohet dhe të gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme ashtu që të realizohet ky projekt për të qenë frymëzim për brezat e rinj.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Faton Peci dhe z.Xhelal Sveçla,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
I nderuari president nderi i FC Prishtina, Remzi Ejupi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Luan Aliu dhe Salih Zyba,
I nderuari Nait Hasani, nismëtar e ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas deputet i Kuvendit të Republikës dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri,
I nderuari tenor i yni, Kastriot Tusha,
I nderuari legjendë e boksit tonë, Luan Krasniqi,
Të nderuar zëvendësministra, Blerim Gashani, kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit, qendrore e lokale,
Të nderuar drejtues e ish-drejtues të Klubit Futbollistik Prishtina,
Shumë të dashur gjenerata e artë e Prishtinës,
Të nderuara yje të sportit vendor,
Të dashur futbollistë, ish-futbollistë, trajnerë e ish-trajnerë ,
I nderuari autor i librit z. Esat Ejupi,
I nderuari shkrimtar i yni i mirënjohur, Nazmi Rrahmani,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Është kënaqësi e veçantë që jam sonte këtu bashkë me juve, për të promovuar jo vetëm një libër monografik, por edhe për ta kujtuar një histori me plot suksese e krenari të klubit futbollistik Prishtina.
Futbolli në Kosovë ka rrënjë të thella historike.
Pak vite pas Luftës së Parë Botërore, filluan të krijoheshin e të organizoheshin klubet e para futbollistike në Kosovë. E në mesin e tyre ishte edhe Klubi i Futbollit Prishtina, i themeluar në vitin 1922, që dikur e mbante emrin “Kosova”, sikur parashihej se do të jetë një klub që do të bënte emër e do të përfaqësonte jo vetëm Prishtinën, por edhe gjithë Kosovën. Atëherë kur nuk kishim e nuk lejohej që të kishim përfaqësuese të Kosovës, Klubi Futbollistik Prishtina ishte përfaqësuesja jonë.
Momentet më kulmore të këtij klubi, i kujtojmë në vitet e 80-ta, me gjeneratën e artë të Prishtinës, me në krye kapitenin Fadil Vokrri dhe padyshim me shokët e tij. Kjo gjeneratë bëri bujë të madhe duke u bërë klubi i parë nga Kosova që garoi në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë në stinorin 1983-1984.
Inkuadrimi në ligën elitare asokohe të federatës nuk ishte vetëm pjesëmarrje, por edhe përfaqësim dinjitoz i vlerave tona kombëtare e qytetare. Sepse, kjo ngritje sportive erdhi vetëm tri vite pas demonstratave gjithëpërfshirëse popullore të vitit 1981, që lindën si protesta studentore, e kur populli ynë shprehu revoltën ndaj shtypjes dhe diskriminimit të vazhdueshëm të regjimit jugosllav të asaj kohe.
E në këtë periudhë, klubi i Prishtinës nuk kishte vetëm sfida sportive në fushat e blerta, por kishte edhe shumë sfida të tjera politike e sociale jashtë fushe. Përkundrazi, kjo e bëri edhe më të fortë Prishtinën, duke qëndruar e duke garuar për pesë vite rresht në Ligën e Parë. Kryetrajnerë në periudha të ndryshme ishin emra të njohur si Fuad Muzurovië, pastaj shumë i respektuari Ajet Shosholli, dhe tashmë i ndjeri, legjenda Miroslav "ëiro" Blaëevië.
Stadiumi që tashmë mbanë emrin e të madhit Fadil Vokrri, gjithmonë ishte përplot me tifozë të cilët vinin për ta parë spektaklin e krijuar nga Prishtina. Ndërsa shumëkush që nuk arrinte të ishte i pranishëm në tribuna, i përcillte ndeshjet duke dëgjuar komentimin me plotë pasion në radio, duke paramenduar e imagjinuar lëvizjet dhe golat magjik të futbollistëve bardhekaltër. Në stadiumin e kryeqytetit, me përkrahjen e madhe të tifozëve, nuk kishte skuadër që nuk mposhtej. Ekipe të famshme që ngadhënjenin edhe nëpër Evropë, kur vinin në Prishtinë mposhteshin.
E entuziazmi i madh sportiv, bëri që në vitet e 80-ta të formoheshin edhe grupet e para të tifozëve në formë të organizuar siç ishin edhe “Plisat”, të cilët edhe sot e kësaj dite i mbështesin ngjyrat bardhekaltër të kryeqytetit.
Më vonë, Prishtina vazhdoi shkëlqimin e saj edhe në nivel të garave të organizuara nga Federata e Futbollit të Kosovës. 11 tituj të Superligës, 11 Superkupa dhe 8 Kupa të Kosovës, është bilanci aktual i titujve të fituar nga Prishtina që nga viti 1991 e deri më sot, duke e bërë atë që ta mbajë epitetin e klubit më të trofeshëm në vendin tonë. Edhe pas ndërkombëtarizimit dhe pranimit në FIFA dhe UEFA më 2016, ishte Prishtina ndër skuadrat e para nga Kosova që përfaqësoi vendin tonë në garat evropiane.
E gjithë kjo histori me shumë suksese, sot është shndërruar në një libër monografik dhe nuk është e çuditshme që ai libër është aq i trashë, i dendur me informacion e me tekst të shumtë. Një fjalë popullore thotë, “Ajo që shkruhet, nuk harrohet”. Andaj e falënderoj shumë z. Esad Ejupi për angazhimin dhe përkushtimin e tij me plotë pasion për ta shkruar një libër të tillë që na bënë ta kujtojmë e mos ta harrojmë historinë e suksesshme sportive në vendit tonë, që ka qenë edhe më shumë sesa sportive.
Po ashtu, falënderoj edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që dha mbështetjen e nevojshme që ky libër të botohet dhe të gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme ashtu që të realizohet ky projekt për të qenë frymëzim për brezat e rinj.
Ne të gjithë e dimë që gjërat as nuk kanë filluar me neve as nuk përfundojnë me neve, por duhet të bëjmë më të mirën që mundemi e dimë me ato mundësitë tona dhe me brezin, me bashkë kohanikët e gjeneratës sonë.
Besoj me bindje të plotë se futbolli dhe sporti ynë në përgjithësi, do të vazhdojë të shkruaj histori dhe të arrijë suksese madhore ndërkombëtare edhe në të ardhmen.
Përgëzime e ju falemnderit.