Haxhiu: Janë ngritur 67 aktakuza për gjykim në mungesë
Departamenti për krime lufte në Prokurorin Speciale të Kosovës ka ngritur 67 aktakuza për gjykim në mungesë në 62 raste ndaj 174 personave, nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka bërë shënuar rezultate të prekshme në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës.
Kështu u tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media, e cila bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku shpalosën punën dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovës, i cili është funksionalizuar në nëntor të vitit 2023, është treguar vendosmëria për të mos lejuar harresën dhe për të siguruar që e vërteta të dal në dritë.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se gjatë mandatit të saj qeverisës janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës, veçanërisht në lidhje me gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë.
Ajo theksoi se duke qenë që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe terroristët, ka qenë i nevojshëm gjykimi në mungesë.
Sipas saj, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur 67 aktakuza në 62 raste ndaj 174 personave.
“Arritje tjetër e rëndësishme në këtë drejtim është edhe miratimi I strategjisë për drejtësi tranzicionale dhe strategjia është një udhërrëfyes i qartë për ne, për të adresuar të kaluarën e dhimbshme dhe për të ndihmuar viktimat që të gjejnë paqe, por po ashtu që të gjejnë drejtësi. Tashmë si ministri e Drejtësisë jemi duke bërë përpjekje maksimale që pas miratimit në mbledhjen e qeverisë që secili rekomandim, veprim që përfshihet në këtë strategji të zbatohet në plotëni….tani mund të ndjekjen penalisht ata që përpiqen të shmangin përgjegjësinë për krimin që kanë kryer pavarësisht vendndodhjes së tyre dhe bazuar në të dhënat që kemi siguruar nga sistemi i drejtësisë…tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave, nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër të rritet në vazhdimësi. Pra, duke pas parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës dhe as ata terrorist që kryejnë krime e sulme terroriste në kohë të paqes ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që të adresohet gjykimi në mungesë për krimet e luftës”, thotë ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë kësaj konference tha se Kosova nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimit, manipulimit apo përpjekjeve për të zbehur të vërtetën.
Ajo po ashtu theksoi se kanë qenë të detyruar të nisim nga e para, pasi në të kaluarën nuk ka pas vullnet për adresim të krimeve të luftës.
“Ne kemi qenë të detyruar të nisim nga e para duke pas parasysh që në të kaluarën nuk ka pas vullnet për të adresuar përgjegjësitë institucionale për adresimin e krimeve të luftës. E gjithë kjo punë dhe angazhim është dëshmi e qartë se drejtësia nuk është vetëm një objektiv politik i kësaj qeverie, por është një detyrë morale e historike që na përket të gjithëve, përballja me të kaluarën nuk është e lehtë, por është e domosdoshme për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.. republika e Kosovës nuk do të dorëzohet kurrë përballë mohimit, manipulimit apo përpjekjeve për të zbehur të vërtetën”, u shpreh Haxhiu.
E para e drejtësisë kosovare shprehu gatishmërinë e saj dhe të ekzekutivit për të kontribuar në hartimin e strategjisë nacionale për adresimin e krimeve të luftës.
“Jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë bazuar edhe në disa prej praktikave tjera kjo strategji është në kuadër të institucioneve të drejtësisë, ndërsa në disa tjera në kuadër të ekzekutivit, por jemi të gatshëm të angazhohemi në këtë drejtim dhe ta gjejmë një zgjidhje më të mirë që ta kemi një strategji nëse kjo është e nevojshme dhe e rëndësishme për Prokurorinë Speciale”, u shpreh ajo.
Punën e tij në dokumentimin dhe adresimin e krimeve të luftës në Kosovë e shpalosi edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili foli për projektin e kompleksin memorial “Adem Jashari”.
“Tashmë jemi në fazën e hartimit të master planit të projektit të madh ‘Adem Jashari’ në Prekaz që ka për synim shndërrimin e gjithë asaj hapësire në nj muze të hapur të dokumentet njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK-së, Epopeja e UÇK-së…Brenda 22 muajve nga nënshkrimi i kontratës kanë bërë detyrë hartimin e 21 produkteve në tërësi përfshirë master planin e tërë kompleksin memorial, projektet e konzervimit dhe të interpretimit të kullave të rezistencës , pastaj planin koratorial, projektet për fabrikën e monicionit, gardën ceremoniale e kështu me radhë …besojmë shumë që paralelisht me hartimin e këtyre produkteve do t’i nisim veprimet konkrete për konzervimin e kullave të rezistencës, si dhe në trajtimin e strukturave muzeore brenda kompleksit”, thotë Çeku.
Tutje, ministri Çeku theksoi se një raport i grupit punues tash ka konstatuar se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbiaka shkatërruar afër 1800 monumente të trashëgimisë kulturore të Kosovës, e ka grabitur mbi 3700 artefakte, si dhe ka shkatërruar 175 biblioteka publike.
“Në këtë raport të këtij grupi punues është konstatuar se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar afër 1800 monumtente të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka grabitur mbi 3700 artefakte, objekte muzeale nga koleksioni muzeal i Kosovës, ka grabitur dokumentacionin zyrtar të monumenteve me qindra mija dosje dhe file të tjerë pjesë të këtyre dosjeve, ka shkatërruar 175 biblioteka publike dhe rreth 1.7 milionë libra shqip si dhe ka dëmtuar, shkatërruar grabitur qindra vepra“, u shpreh ai.
Çeku dha detaje edhe për krijimin e muzeut të gjenocidit i cili siç u shpreh ai dokumenton më shumë se 1 shekull krimet e Serbisë ndaj popullit shqiptar.
Ai madje njoftoi se nga viti i ardhshëm është planifikuar restaurimi dhe muzealizimit të Burgut të Prishtinës, ndërsa lidhur me ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës, tha se janë në pritje të një raport nga Universiteti i Prishtinës lidhur me zhvillimin e intervistimeve të familjarëve të këtyre fëmijëve.
Sa i takon kompleksit memorial të masakrës së Reçakut, ministri Çeku u shpreh se janë duke përgatitur detyrën projektuese, me qëllim që ai kompleks të kalojë përmes procesit të ri të ngjashëm me atë të kompleksit memorial të Prekazit.
“Një nismë që ka marrë hov është edhe kompleksi memorial i masakrës së Reçakut, dokumentimit të masakrës të Reçakut, ju i dini përpjekjet që vijnë edhe nga Serbia për të relativizuar bile për ta mohuar autorësinë në raport me masakrën e Reçakut…janë duke përgatitur detyrën projektuese pra ai kompleks që është sot do të kaloj përmes procesit të ri të ngjashëm me atë të kompleksit memorial të Prekazit në mënyrë që dokumentimin dhe prezantimin e asaj masakre ta bëjmë në mënyrë të dinjitetshme të mundshme”, tha ai.
Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit, Hajrullah Çeku theksoi se bëjnë përpjekje që të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për menaxhimin e memorialëve në Kosovë.