Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin e automjeteve në veri dhe juglindje të Shqipërisë
Policia e Shtetit i ka drejtuar një apel drejtuesve të automjeteve që për shkak të kushteve atmosferike të tregohen të kujdesshëm, vigjilentë dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë Rrugore.
Si pasojë e reshjeve të dëborës në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë më shumë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Aktualisht, ka vështirësi në qarkullim në akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, në Kukës, “Bogë-Qafë Thorë-Theth” dhe “Tamarë-Selcë-Vermosh”, në Shkodër. Në këto akse kalimi i automjeteve mund të bëhet me zinxhirë.
Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë”, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora.
“Për shkak të reshjeve të dëborës në disa zona malore të vendit dhe të reshjeve të shiut në të gjitha qarqet e vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policisë Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.
Borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe për hedhjen e kripës.
Njëkohësisht masa janë marrë në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane, për shkak të reshjeve të shiut. Në këto kushte, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.
Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do të shkojnë menjëherë pranë tyre, për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme”, thuhet në njoftimin e policisë.