Maqedonci pret në takim lamtumirës Hovenierin, e dekoron me “Medaljen për shërbim të shquar”
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së Bashkim Jashari pritën sot në takim lamtumirës ambasadorin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në prag të përfundimit të mandatit diplomatik, Maqedonci e dekoroi Hovenierin me “Medaljen për shërbim të shquar”.
“Në këtë takim të përzemërt ministri Maqedonci me ambasadorin Hovenier biseduan për bashkëpunimet e frytshme të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe të sigurisë.“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri kyç i Republikës së Kosovës, tradicionalisht dhe historikisht”, theksoi ministri Maqedonci me këtë rast”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes, transmeton Klankosova.tv.
“Nga ana e tij, gjenerallejtënant Jashari, duke ndarë mirënjohje të veçantë për ambasadorin Hovenier, theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe mbështetjes strategjike që ambasadori Hovenier ka dhënë për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm që ka ndihmuar në fuqizimin e kapaciteteve të FSK-së dhe në përmirësimin e aftësive të saj operacionale”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas Ministrisë, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimin e FSK-së në të ardhmen, si dhe për synimet e avancimit të marrëdhënieve bilaterale ushtarake, duke u fokusuar në fushat e zhvillimit të kapaciteteve të FSK-së dhe fushave tjera me interes të përbashkët.
“Në këto takime, ambasadori Hovenier falënderoi ministrin Maqedonci dhe gjeneral Jasharin për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe angazhimin e tyre në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”.