Çeku: Serbia ka grabitur qindra mijëra dosje të monumenteve dhe artefakte
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar 1800 monumente të trashëgimisë kulturore.
Në një konferencë për media ai tha se Serbia ka grabitur nga Kosova mbi 3700 artefakte.
“Tash jemi në fazën e hartimit të projektit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Angazhimi ka filluar në vitin 2021, në gusht të këtij viti është nënshkruar edhe kontrata. Në kuadër të qeverisë është themeluar edhe një grup punues, ky grup ka përfunduar raportin të cilin ia ka dorëzuar e Institutit për Krime të Luftës është konstatuar se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar 1800 monumente të trashëgimisë kulturore, ka grabitur mbi 3700 artefakte, ka grabitur dokumentacioni zyrtar të monumenteve me qindra mijëra dosje. Ka shkatërruar 175 biblioteka publike dhe rreth 1.7 milion libra shqip”, tha Çeku.
Ai theksoi se është në fazën e hartimit projekti i muzeut të burgut të Prishtinës.
“Ne kemi votuar edhe krijimin e muzeut të gjenocidit dhe përpjekja për liri. Jemi në fazën e hartimit të projektit të muzeut të burgut të Prishtinës. Ndërtimit të memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës”, tha Çeku.