Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Aktuale December 23, 2024 - 13:11

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të hënën ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarët, me ç’rast para të pranishmëve ka raportuar për punën njëvjeçare të Ekzekutivit lokal.

Sipas tij, gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 janë realizuar projekte të shumta.

“Gjatë këtij viti kemi pas shumë punë të mira, kemi realizuar shumë projekte, shumë suksese. Raporti do të publikohet në ueb faqen e Komunës dhe do të keni mundësi me i pa detajet”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Ai ka theksuar se qëllimi i qeverisë komunale ka qenë gjithëpërfshirja.

“Kemi pas disa risi, sikurse që është buxhetimi me pjesëmarrje, Kontrata Sociale që janë konsideruar të arritura”, ka deklaruar ai.

Në këtë aspekt ka shtuar se qëllimi kryesor i angazhimeve ka qenë gjithmonë përmirësimi i cilësisë së jetës së gjithë qytetarëve që jetojnë në territorin e Komunës së Prizrenit.

“Natyrisht, nevojat janë shumë më të mëdha sesa që janë mundësitë tona. Mirëpo përmes caktimit të prioriteteve, duke u bazuar në kriteret relevante gjithmonë kemi tentuar që atë buxhet që e kemi ta shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale edhe të arrijmë të përfshijmë sa më shumë kërkesa, një numër sa më të madh të banorëve, dhe territor sa më të gjerë”, është shprehur Totaj.

Sipas tij, në bazë të të dhënave aktuale, buxheti është realizuar në shkallën rreth 95%, ndërkohë që të hyrat vetjake janë realizuar 100%.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se pas një kohe të gjatë janë përmbushur kriteret për përfitimin e Grantit të Performancës.

Pas raportimit të kryetarit Totaj, qytetarët e pranishëm kanë adresuar kërkesa e sugjerime të ndryshme, për të cilat krahas kryetarit kanë ofruar përgjigje edhe drejtorët komunalë.