Hamza premton se pagesa e TVSH-së për biznese do të bëhet pas shitjes së mallrave dhe produkteve
Foto: Facebook

Hamza premton se pagesa e TVSH-së për biznese do të bëhet pas shitjes së mallrave dhe produkteve

Aktuale December 23, 2024 - 10:50

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar edhe sot serinë e takimeve me qytetarë në kuadër të nismës së tij “Espresso me Bedri Hamzën”.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka takuar Valonin, një ndërmarrës nga Prizreni, i cili ndau shqetësimet e tij mbi sfidat që hasin bizneset në Kosovë.

Ndërmarrësi Valoni tha se pagesa e TVSH-së në kufi, pa hyrë në Kosovë dhe pa u shitur malli, është barrë për të dhe për të gjitha bizneset në Kosovë.

Hamza ka premtuar se do të ndryshojë këtë për të mirën e bizneseve.

“Pagesa e TVSH-së nga kufiri, në të ardhmen, do të paguhet në brendi, pasi mallrat dhe produktet të shiten. Kafen e radhës me Valonin, ndërmarrës nga Prizreni. Si çdo ndërmarrës, edhe ai rrëfen se pagesa e TVSH-së në kufi mbetet një barrë e madhe për bizneset. Prandaj, mbledhjen e TVSH-së do ta transferojmë brenda Kosovës, në mënyrë që bizneset ta paguajnë atë vetëm pas shitjes së produkteve. Kështu e lirojmë kapitalin e bizneseve dhe mundësojmë më shumë zhvillim. Kosova mundet më mirë”, ka shkruar Hamza.