Kurti mirëpret fillimin e Starlink në Kosovë: Një hap i madh për infrastrukturën digjitale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur lajmin e fillimit të shërbimeve cilësore të internetit në vendin tonë, nga kompania Starlink e miliarderit Elon Musk.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti, ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale.
“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë.
Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Tutje Kurti është shprehur se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.
Ndryshe këto shërbime të kësaj kompanie në Kosovë i ka konfirmuar vetë Musk në një postim në X, ku shkroi shkurt: “Starlink në Kosovë”.
Starlink është shërbimi inovativ i internetit satelitor i krijuar nga SpaceX, kompania e hapësirës e drejtuar nga Elon Musk.
Ky sistem bazohet në një rrjet të dendur satelitësh të vendosur në orbitën e ulët të Tokës, të cilët ofrojnë lidhje interneti me shpejtësi të lartë dhe vonesë të ulët për përdoruesit në mbarë botë.
Synimi i Starlink është të sigurojë akses të internetit në zona rurale, të largëta ose të paaksesueshme nga infrastruktura tradicionale.