KKD-ja me shumë aktivitete shënon Ditën Kombëtare të Diasporës në Tiranë, takohen me Begajn e Ramën
Këto ditë në Tiranë është shënuar Dita Kombëtare e Diasporës, për të cilin Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD), ka mbajtur disa aktivitete dhe takime të shumta.
Agjenda e takimeve të Këshillit Koordinues të Diasporës, ka nisur me takime në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku anëtarët e KKD-së vizituan një ekspozitë me veshje tradicionale shqiptare dhe u njohën nga afër me ekspozitën lëvizëse, e cila reklamon veshjet tradicionale shqiptare në mbarë vendin.
Pas kësaj vizite, KKD-ja ka vazhduar në një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga i cili u njohën me ecurinë si dhe përpjekjet që po bëhen me qëllim që diasporës sonë t’i lehtësohet mundësia praktike për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 11 maj 2025.
Anëtari i KKD-së, Lazim Destani, ka vlerësuar punën që është bërë për mundësimin e votës edhe të diasporës shqiptare, për çka e ka konsideruar si një lajm shumë të mirë.
“Mundësimi i votës së diasporës shqiptare ka qenë lajmi më i mirë i këtij viti për ne të gjithë anëtarët e KKD-së dhe shqiptarët në mbarë botën, dhe kjo ka qenë kërkesa jonë e vazhdueshme, që nga krijimi i KKD. Me kryetarin Celibashi, u dakordësua dhe koordinimi mes KQZ-së e KKD-së me qëllim zhvillimin e një fushate intensive informimi dhe edukimi sa i përket regjistrimit të votuesve nga jashtë, për të votuar për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës”, ka thënë Destani.
Më pas, agjenda ka vijuar me një vizitë në Presidencë, ku janë pritur nga Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili shprehu mirënjohje dhe vlerësime të veçanta për kontributin e KKD në dobi të kombit shqiptar.
Destani ka shkruar se anëtarëve të KKD-së një pritje miqësore u ofroi dhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila u shpreh se e sheh diasporën si gur themeli për shtetin dhe kombin tonë.
Dita e parë u mbyll me një aktivitet kulturor “Arti në Diasporë”, për të vijuar ditën e dytë me takimin kryesor të KKD-së me Kryeministrin Rama dhe Ministrin Igli Hasani.
“Kreu i qeverisë dhe Ministri i Jashtëm Hasani shprehën angazhimin e tyre, si për realizimin me rigorozitet të votës së diasporës, ashtu dhe për çështje tjera të rëndësishme si, arsimi shqip dhe shkenca në diasporë”.
Destani me këtë rast, ka uruar gjithë shqiptarët e mërgatës sonë, “Gëzuar Ditën Kombëtare të Diasporës!”. /Zëri