Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e personave të zhdukur
Procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë po vazhdon, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku bëhet e ditur se do rivarrosen tri viktima të luftës së fundit në vend që ishin në listën e personave të zhdukur.
Mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu, u rivarrosën këtë javë pas identifikimit përmes analizave shkencore të ADN-së.
Nesër, më 21 dhjetor, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i Sylejman Demës, viktimë tjetër e luftës e cila gjithashtu ishte në listën e personave të zhdukur.
“RIVARROSEN FERIZ MRASORI, ILMI ALIU, DHE SYLEJMAN DEMA, VIKTIMA TË LUFTËS QË ISHIN NË LISTËN E PERSONAVE TË ZHDUKUR
Pas gjetjes dhe zhvarrimit gjatë vitit 2023, dhe procesit të identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesave të familjeve, janë rivarrosur mbetjet mortore të dy viktimave të luftës, Feriz Mrasori dhe Ilmi Aliu.
Më 18 dhjetor 2024, në Pastasel, u krye rivarrimi i mbetjeve mortore të Feriz Mrasorit. Sot, më 20 dhjetor 2024, në varrezat e fshatit Strofc, janë rivarrosur mbetjet mortore të Hilmi Aliut. Ndërsa nesër, më 21 dhjetor 2024, në Rahovec, do të kryhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Sylejman Demës.
Të tre, viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur, për të respektuar të drejtën e familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”, thuhet në njoftim.