Çka tha Kurti sot në mbledhjen e përbashkët Kosovë – Shqipëri?
Sot në Prishtinë u mbajt mbledhja e dytë e përbashkët mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në të cilën edhe kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një fjalim.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij në Kuvend ka folur për marrëdhëniet e mira mes dy shteteve, ndërsa ka përmendur marrëveshjet që janë arritur që nga mbrojtja; infrastruktura; bujqësia; shkëmbimet tregtare; tregu i përbashkët energjetik; turizmi; lëvizja ndërkufitare pa kontrolle; njohja e kontributeve shoqërore për efekt të pensioneve; njësimi i teksteve shkollore; organizimi i veprimtarive të përbashkëta artistike e sportive; reduktimi i procedurave administrative për banim, studim, punësim e sipërmarrje e të tjera, e të tjera.
Tutje ai tha se Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të jetë anëtare të denja të familjes euroatlantike dhe po marrin përgjegjësinë që u takon në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, transmeton Zeri.info.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani - Sadriu
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të dy republikave tona demokratike e parlamentare,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore,
Shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë,
Të dashura familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashur qytetarë,
Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, siç i takon në këto javë të mbylljes së vitit, por besoj se ai nuk ndikon aspak në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë, ku janë bërë bashkë dy kuvende, ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Dy republikat tona janë parlamentare dhe ju, të dashur deputetë, përfaqësoni qytetarët e dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona, edhe pse të themeluara me një distancë kohore nga njëri-tjetri, janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore të shqiptarëve për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar. Legjislatura e parë e Kuvendit të Shqipërisë e dalë nga zgjedhje pluraliste e njohu shpalljen Republikës së Kosovës me rezolutën e datës 21 tetor 1991. Ndjenja e vëllazërisë, vetëdija historike dhe përgjegjësia para qytetarëve që na kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar, motivojnë mbledhje si këto.
Si kryesues i Qeverisë së Kosovës, shpreh kënaqësi që sot Kuvendet e dy shteteve bëjnë bilancin dhe vlerësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta qeveritare dhe që besoj se mbulojnë të gjitha fushat e veprimit shtetëror: që nga mbrojtja; infrastruktura; bujqësia; shkëmbimet tregtare; tregu i përbashkët energjetik; turizmi; lëvizja ndërkufitare pa kontrolle; njohja e kontributeve shoqërore për efekt të pensioneve; njësimi i teksteve shkollore; organizimi i veprimtarive të përbashkëta artistike e sportive; reduktimi i procedurave administrative për banim, studim, punësim e sipërmarrje e të tjera, e të tjera. Rezultatet e deritanishme të këtyre marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët dhe nxitëse për të vijuar më tej në këtë rrugë. Më lejoni të përmend vetëm disa nga arritjet e përbashkëta:
- Shqipëria është ndër pesë vendet e para me të cilët Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës për vitin 2023 me vlerën 440 milionë euro;
- Tregu i përbashkët energjetik ALPEX "Albanian Poëer Exchange" është funksional;
- Lëvizja pa asnjë kontroll e qytetarëve në kufi për një periudhë 9 mujore dhe gjatë fundjavave e festave shtetërore edhe për tre muajt e mbetur, ndërkohë që po punohet për heqjen e kontrollit përgjatë tërë vitit;
- Lehtësimi i procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë joshtazore në pikat e inspektimit kufitar;
- Hapja e 26 vendkalimeve të reja për mbi 200 mijë banorët e zonave kufitare dhe rehabilitimi i disa segmenteve rrugore të fshatrave kufitare Shqipëri-Kosovë;
- Hapja e dy zyrave doganore të Kosovës në Durrës e Porto Romano dhe reduktimi i skanimit të dyfishtë nga 100% në 10%;
- Hapja e korridoreve të reja ajrore për fluturime komerciale që kanë shkurtuar fluturimet për dhe nga Kosova;
- Ofrimin e shërbimeve mjekësore nga spitalet e zonave kufitare Kukës, Gjakovë, Prizren për banorët e tyre;
- Bashkëpunimi në aplikimin e suksesshëm të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe bashkëorganizimi i Kampionatit Evropian të Volejbollit për vajza të grupmoshave U16;
- Fondi i përbashkët për projektet teatrore dhe organizimi i festivalit mbarëkombëtar i teatrit shqiptar “Moisiu”;
- Veprimtari të shumta të përbashkëta në kinematografi, trashëgimi kulturore e muze;
- Abetarja e njëjtë mësohet në shkollat tona tash e tre vjet dhe vijon bashkëpunimi për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”;
- Njësimi i procedurave për regjistrimin e studentëve dhe dhënia e bursave;
- Lehtësimi i procedurave të transitit të mallrave ushtarake dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë;
- Bashkëpunimi për operacionet në fushën e kërkim-shpëtimit në të dy vendet;
- Platforma e përbashkët digjitale e informacionit dhe promovimit turistik e të tjera.
Të dashur deputetë të Kuvendeve tona,
Jemi të vetëdijshëm se nuk na lejohet mburrja dhe vetëkënaqësia për arritjet. Kemi shumë punë për të bërë, si Qeveri, si Kuvende dhe si administrata publike për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të dy republikave tona. Sepse, siç e ka thënë poeti dhe prozatori ynë i mirënjohur Primo Shllaku: “Kufiri ndërmjet Kosovës e Shqipërisë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës.” E Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe po ashtu edhe për monitorimin e zbatimit të tyre.
Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim. Kemi punë përpara, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por dhe për ndihmuar për sigurinë e jetesën e dinjitetshme te shqiptarët në shtetet fqinje, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, por sidomos në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbej kjo si një shembull edhe për Shqipërinë!
Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të jetë anëtare të denja të familjes euro-atlantike dhe po marrin përgjegjësinë që u takon në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pakicat kombëtare në Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi janë bashkë me ne sepse ne jemi respektues dhe të përgjegjshëm ndaj tyre. Kosova dhe Shqipëria besojnë në të drejtat e njeriut, janë kontribuese të paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj dhe janë mbështetës të fuqishëm të proceseve integruese euro-atlantike. Sot më shumë se kurrë shtetet demokratike në kontinentin tonë po ndërgjegjësohen se kanë nevojë si për Bashkimin Evropian, si për NATO-n. Jo më kot, dy vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Finlanda dhe Suedia, kohët e fundit vendosën që t’i bashkohen Aleancës së Atlantikut Verior. Neve në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i Bashkimit Evropian. Kosova ka dorëzuar aplikimin për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe po avancon në këtë drejtim, për aq sa lejon situata ku ajo ndodhet, kryesisht për shkak të refuzimit agresiv të Serbisë për të na njohur si shtet, por edhe për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq NATO-ja është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO.
Mirëpo, Kosova po bën hapa gjigantë drejt NATO-s. NATO nuk ka armatim të vetin, NATO e ka vetëm armatimin e shteteve anëtare dhe për dallim nga viti 2018-2020 kur kishin më pak se katër milionë euro investim në armatim, në vitet 2021-2023 kemi mbi 239 milionë euro investim në armatim dhe municion. Pra ne nuk mund të anëtarësohemi në NATO se nuk jemi mjaftueshëm të fortë por do të anëtarësohemi sepse do të bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe nga NATO të përfitojmë sepse edhe do të kontribuojmë.
Agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, që vijnë nga e njëjta adresë, Serbia e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia dhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forcat e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e Aleancës dhe ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë.
Qysh në vitin e kaluar edhe në këtë vit, edhe vitin e ardhshëm ne tejkalojmë kriterin prej 2 për qind të bruto produktit vendor që është i vendosur në samitin e Ëales-it para 10 vjetëve të NATO-s kur u përcaktua si kriter.
Edhe në Kosovë edhe në Shqipëri të nderuar deputetë, të dashur kolegë nga ekzekutivi, besoj që duhet t’i kushtojmë rëndësi të posaçme katër kategorive shoqërore: aktivizimit dhe të drejtave të grave që na e dyfishojnë kombin, rinisë që është energjike dhe shumëgjuhëshe si asnjë tjetër në Ballkan, diasporës që është më e madhe dhe patriotike, sërish, si asnjë tjetër nga Ballkani, dhe zhvillimit të fshatit e të malësive tona.
Në Kosovë, rritja ekonomike mesatare në këtë katër vjeçar ishte më e larta prej se kemi shpallë pavarësinë e po ashtu edhe avancimi demokratik, luftimi i korrupsionit e progresi shoqëror. Gjithashtu si asnjëherë më parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial dhe sot që po flasim në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na cenojnë sigurinë apo stabilitetin.
Terrorizimi i paramilitarëve të orkestruar e të financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Vitin tjetër, Kuvendet e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë do të riformohen, sipas vullnetit që qytetarët do të shprehin në kutitë e votimit. Cilëtdo qofshin deputetët që do t’i përfaqësojnë, unë jam i sigurt se mbledhjet e përbashkëta të dy Kuvendeve do të vijojnë me të njëjtën frymë dhe dobi publike, sikurse kjo mbledhje e sotme.
Falënderoj dy kryetarët e Kuvendeve, znj. Spiropali dhe z. Konjufca, për organizimin e saj, falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për pjesëmarrjen e tij, kryetarët e grupeve parlamentare, deputetët e pranishëm dhe të gjithëve bashkë ju uroj ditë të mbarë!