Osmani kërkon bashkëpunim më të madh dhe koordinim më të shpeshtë Kosovë - Shqipëri
Presidentja Vjosa Osmani në fjalën e saj gjatë seancës së përbashkët të dy kuvendeve Kosovë - Shqipëri ka thënë se të dyja vendet duhet të ndërtojnë bashkëpunim më të madh dhe koordinim më të shpeshtë.
Ajo shtoi se secili duhet ta luajë rolin e tij në arritjen e këtij qëllimi.
“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve europiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.
“Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”.
Osmani shtoi se parlamentet kanë një rol vendimtar në avancimin e raporteve dypalëshe.
Po ashtu, presidentja ka uruar Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në, ndërsa tha se edhe Kosova “si përherë mbetet me përkushtim të palëkundur për anëtarësim në BE”.
“Nuk është qëllim politik, por pasqyrim i asaj se çfarë përfaqësojmë”.