Analistët në Beograd: Kosova e Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

Analistët në Beograd: Kosova e Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

Aktuale December 19, 2024 - 21:35

Analistët në Serbi thonë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin me hapa më të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit si e vetmja mundësi që të arrihet një paqe e qëndrueshme në mes të dyja vendeve.

Normalizimi i marrëdhënieve, i rënë dakord përmes Marrëveshjes së Brukselit dhe Agjendës së Ohrit, duhet të realizohet, dhe në këtë drejtim administrata e re e Brukselit duhet të aplikojë një ritëm të qëndrueshëm negociatash.

Kështu e sheh një pjesë e ekspertëve në Serbi momentin aktual të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Fokus duhet të jetë, siç vlerësohet, normalizimi i marrëdhënieve sipas marrëveshjeve.

“Është e nevojshme që agjenda e Ohrit të riafirmohet dhe realizohet, si dhe ajo që është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit. Beogradi zyrtar, ashtu si të gjitha forcat politike serbe, ka thënë se nuk do ta njohin Kosovën, dhe për këtë arsye nuk duhet pritur njohjen diplomatike zyrtare të Kosovës nga Serbia, por normalizimi i marrëdhënieve është i mundur, dhe kjo është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit dhe Agjendën e Ohrit”, ka theksuar Sreçko Gjukiq, diplomat i karrierës,

Bashkësia ndërkombëtare thekson mbështetjen për dialogun, si rrugë e vetme për zgjidhjen e çështjeve politike. Edhe pse takimi i fundit i kryenegociatorëve në Bruksel për çështjen e personave të zhdukur është parë si një hap përpara, theksohet se çështjet thelbësore të dialogut mbeten të pazgjidhura.

Për këtë arsye, pritet që administrata e re e Brukselit të përqendrohet përsëri në këto çështje.

“Edhe pse po tentojnë ta shtyjnë zgjidhjen, unë do të doja që të kemi një zgjidhje konkrete, në të mirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë, si shumicë, ashtu edhe pakicë, dhe për të vendosur sa më shpejt një marrëdhënie normale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne besojmë se plani gjermano-francez nga i cili doli Marrëveshja e Ohrit duhet të rivitalizohet dhe të kthehet në qendër të vëmendjes”, theksoi për RTK, Ivan Videnoviq, politikan i “GLAS”.

Për procesin aktual të negociatave, Sreçko Gjukiq kritikoi ritmin e pasigurt, duke theksuar se pauzat e mëdha në negociata krijojnë një situatë të paqartë.

Ai shpreson që Komisioni i ri Evropian të ndryshojë metodologjinë dhe t’i përfundojë negociatat në një periudhë të arsyeshme, duke besuar se këto çështje mund të zgjidhen gjatë mandatit të administratës së re të Brukselit. /rtk/