Analistët: Samiti BE-Ballkani perëndimor nuk prodhoi “asgjë” për Kosovën

Analistët: Samiti BE-Ballkani perëndimor nuk prodhoi “asgjë” për Kosovën

Aktuale December 19, 2024 - 20:26

Gjuhën e ashpër kritikuese ndaj 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka zbutur as një ditë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Fjalimin si përfaqësuese e Kosovës, Osmani, e ka ndarë në katër pika, në mesin e të cilave liderëve rajonal dhe atyre të BE-së, thotë se iu ka bërë thirrje që Serbisë t’i kërkohet llogari për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

“Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë. Andaj, në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, theksova se:

* E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm;

* Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane;

* Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe;

* Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë”.

Në anën tjetër nga Bashkimi Evropian vazhdon avazi i vjetër karshi kërkesave.

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, thotë se janë të gatshëm për të përgatitur opinionin për statusin kandidat për Kosovën dhe të heqin edhe masat ndëshkuese, por arsyetohet se për këtë duhet unanimitet në Këshill.

Ky qëndrim sipas vëzhguesve të zhvillimeve brenda BE-së dhe procesit të dialogut, nuk është risi, por është problem që duhet të zgjidhet edhe brenda vetë bllokut europian.

“Faji i Kosovës është që nuk ka politikë shtetërore nacionale për çështjen e integrimit në BE. Pra nuk guxojmë të lëvizim nga pika a në pikën zh dyke e ndryshuar politikën e jashtme, kjo është shumë e gabuar, pra duhet të krijohet një konsensus nacional që Kosova duhet ta ketë në dialog me BE-në për njohje, sepse vetëm njohja në njëfarë mënyre ia siguron Kosovës një rrugë legale dhe politike në integrimin në familjen euro-atlantike”, ka thënë profesori Dritëro Arifi.

Në deklaratën e përbashkët pas samitit, askund nuk përmendet sulmi terrorist në kanalin Ibër Lepenc e as në Banjskë, por domosdoshmëria e integrimit të Ballkanit, përkrahja dhe mbrojtja nga ndikimi që ka agresioni rus në Ukrainë dhe pritjet që shtete t’i kryejnë reformat dhe obligimet drejt rrugës së integrimit të plotë në familjen europiane./Dukagjini/