Kurti: Burimet tona ujore i ngjajnë pjatës së kthyer përmbys – burojnë te ne e përfundojnë jashtë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Promovimi i Qasjes Universale në Ujë të Pastër”, që u organizua nga Rilindja e Gjelbër dhe financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kurti tha se burimet ujore të Kosovës i ngjajnë një pjate të kthyer përmbys, ku sipas tij, uji që buron në Kosovë, përfundon jashtë vendit, teksa shtoi se Kosova është ndër shtetet me sasinë më të vogël të ujit në rajon.
“E sa për të rikujtuar rëndësinë qenësore që Liqeni i Ujmanit ka për vendin tonë, ai është liqeni më i madh i ynë. Me kapacitet maksimal 328.75 milionë m³ ai si i vetëm ka vëllim trefish më të madh sesa tre liqenet e tjera kryesore, Radoniqi, Batllava dhe Badovci, marrë së bashku. Gjendja aktuale, na mëson se në njërën anë kemi pak burime të ujit e në anën tjetër ato janë të centralizuara. Gjithashtu, na dikton nevojën jetike që burimet ujore t’i menaxhojmë mirë, t’i mbrojmë me kujdes dhe t’i shtojmë me prioritet”.
“Në këtë drejtim, projektet tona përfshijnë ndërtimin e rezervuarëve të rinj si ai në Firajë (16.5 milionë m³), Shtime (113 milionë m³), Pollatë (37.5 milionë m³), Desivojcë, Kremenatë, Gjyrishevc, Kuçicë, dhe Dragaqinë, të cilët së bashku shtojnë një kapacitet prej 204 milionë m³. Ato janë pjesë thelbësore e strategjisë sonë për të përballuar sfidat klimatike, duke përfshirë thatësirat dhe përmbytjet, dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me ujë për të gjithë vendin”, shkroi Kurti.
Më tej, kreu i qeverisë tha se projektet e tjera si rehabilitimi i rrjeteve të ujësjellësit në Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prizren, trefishimi i stacioneve hidrologjike dhe meteorologjike, duke krijuar një sistem të avancuar të paralajmërimit të hershëm për përmbytje dhe thatësira.