Bahtijari shprehet i penduar për veprimet të cilat pranoi se i ka kryer

Bahtijari shprehet i penduar për veprimet të cilat pranoi se i ka kryer

Aktuale December 19, 2024 - 16:37

Ismet Bahtijari të enjten para trupit gjykues u shpreh i penduar, për veprat të cilat e ka pranuar fajësinë se i ka kryer.

Paraprakisht, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, e pyeti atë nëse është penduar për veprimet që ka ndërmarrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Zoti Bahtijari, kam një pyetje por nuk e ke për detyrim që të përgjigjesh. A je penduar? A të vjen keq, a je bërë pishman që ke bërë atë që ke bërë? A mendoni që ajo që keni bërë ka qenë e gabuar dhe nuk ka qenë një gjë e mirë?”, pyeti gjykatësja.

“Po, po”, u përgjigj Bahtijari.

Kurse, gjykatësja ia përsëriti: “Domethënë, je penduar?”.

Edhe këtë herë, Bahtijari pohoi se është penduar, por që kur u pyet se pse mendon që ka qenë e gabuar ajo që ka bërë, ai nuk u përgjigj.

Përpara kësaj, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se i mbrojturi i saj e ka bërë shumë të qartë që nuk do që të flasë në sallën e gjyqit për asgjë e sidomos për këtë pjesë.

Në anën tjetër, mbrojtja e Sabit Januzit, avokati Jonathan Elystan- Rees tha se vendimet për marrëveshjet për pranimin e fajësisë duhet të merren para pushimit.

“Unë kërkoj nga trupi gjykues që të nxjerrë një vendim për të miratuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe të caktojë dënimet në përputhje me ato marrëveshje, duke mbajtur parasysh edhe kohën e kaluar në paraburgim. Unë do të kisha kërkuar që ky vendim të dalë përpara pushimit. Kjo çështje e zbatueshmerisë së zhdëmtimeve është një çështje tërësisht e ndarë dhe mendoj që vendimi për marrëveshjet e fajësisë duhet të merret pavarësisht prej çështjes së zhdëmtimeve”, tha Rees.

Qëndrim të ngjashëm kishte edhe mbrojtja e Haxhi Shalës, Toby Cadman, i cili tha se vendimi duhet të merret sa më shpejtë të jetë e mundur.

Seanca pritet të vazhdojë me çështje administrative pas një pushimi, ku Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u lejuan që të mosmarrin pjesë. /BetimipërDrejtësi