Shtetet anëtare e duan Ballkanin Perëndimor në BE
BE-ja është “i vetmi partner i besueshëm” për Ballkanin Perëndimor.
Kështu u shpreh kryeministri belg, Alexander De Croo, derisa po hynte në samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në këto momente.
Në këtë samit po marrin pjesë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me ata të Bashkimit Evropian.
“Në botën e sotme gjeopolitike, ne duhet të bëjmë të qartë se ne jemi i vetmi partner real që ka Ballkani Perëndimor dhe se aspiratat e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian janë reale”, argumentoi De Croo.
Ai theksoi gjithashtu se pranimi në BE duhet të bazohet në meritat dhe reformat konkrete të secilit vend kandidat. Ai tha se “nuk jam tifoz” i një situate si në vitin 2004, kur 10 vende iu bashkuan bllokut njëherësh.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, u shpreh se vendi i tij mbështet aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Zgjerimi i BE-së duhet të mbetet i bazuar në merita, i fokusuar në vlerat themelore të BE-së, në reformat esenciale, në sundimin e ligjit dhe në anti-korrupsion”.
“Në deklaratën e përbashkët BE-Ballkani Perëndimor për sigurinë, stabilitetin dhe një dinamikë të re zhvillimi, ne përforcuam orientimin strategjik të Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e tyre drejt integrimit gradual në BE”, theksoi Nauseda.
Fjalë miradije për shtetet e BP-së pati edhe kryeministri i linjës së ashpër i Hungarisë, Viktor Orban.
“Gjashtë muajt e fundit kanë sjellë përparim të jashtëzakonshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me zgjerimin e Schengenit që i shtohet këtij suksesi. Tani jemi gati të themi: një punë e bërë mirë”, deklaroi Orban para gazetarëve.
Partnerë kyç i quajti kryeministri i Holandës, shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët e parë të BE-së, dhe kështu ata janë partnerë kryesorë. Ne shohim mundësi për të bashkuar forcat në shumë fusha: sundimi i ligjit, migrimi, bashkëpunimi rajonal dhe luftimi i krimit të organizuar. Ne do të diskutojmë këto mundësi në samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel”.
“Me shpërthimin e luftës në Ukrainë, ne duhet të ruajmë stabilitetin në rajon dhe të punojmë së bashku ngushtë. Pra, është e rëndësishme për BE-në që vendet në Ballkanin Perëndimor të harmonizojnë politikën e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) dhe të miratojnë sanksionet që ne kemi vendosur ndaj Rusisë”, potencoi Dick Schoof, kryeministër i Holandës.
Presidentja Vjosa Osmani, në ndalesën e saj para mediave, në hyrje të samitit, u shpreh e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po ia bëjnë disa vende të Bashkimit Evropian.
“Arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në drejtim të heqjes së masave për Kosovën, ato janë ende në fuqi. Dhe, siç i kemi parë konkluzionet dhe që presim t’i pranojmë, nuk duket se ato do të hiqen këtë dhjetor”, tha Osmani para mediave.
Shefja e shtetit të Kosovës i falënderoi 2/3 e vendeve të Bashkimit Evropian që mbështeten heqjen e masave.
“Dhe po ashtu jam këtu për të biseduar edhe për t’i pyetur edhe ato shtete që çka ju duket evropiane duke i dënuar 1.7 milion banorë madje edhe në projektet për ujë të pijes”, tha ajo.
Osmani tha se Kosova ka dy vite që ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat, por deri tani s’ka asnjë përgjigje.
Se e duan Ballkanin Perëndimor në BE, e thanë edhe krerët e institucioneve të BE-së.
Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e presidenti i ri i Këshillit Evropian Antonio Costa, thanë se Ballkani Perëndimor e ka vendin në familjen e BE-së. /Klankosova.tv