A e pranoi fajësinë ndonjëri prej të dyshuarve për sulmin në Ibër – Lepenc?
Përfaqësuesit e qeverisë, nuk po mund të ndalen së përzieri në punët e sistemit të drejtësisë. Zv.ministri i Pushtetit Lokal, tha se njëri prej të dyshuarve për sulmin e Ibër – Lepencit, ka pranuar fajësinë, por një gjë e tillë nuk u konfirmua nga prokuroria speciale e as nga avokatët mbrojtës
Dragisha Viqentijeviq e Jovan Viqentijeviq në paraqitjen e tyre të parë në gjykatore, nuk pranuan fajësinë për dyshimet, për të cilat u arrestuan.
Të dy këta janë të dyshuar kryesor nga Prokuroria Speciale, për sulmin e 29 nëntorit, në kanalin e Iber – Lepencit, për çka edhe ndodhen nën masën e paraburgimit.
Por, një ditë më parë zv.ministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, tha në një televizion se sipas informacioneve të tij njëri nga të dyshuarit ka pranuar pjesëmarrjen e tij në realizimin e këtij sulmi.
Megjithatë, një gjë të tillë nuk e konfirmuan nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur gjendet në fazën e hetimeve, mbledhjen dhe analizimin e provave në Prokurorinë Speciale. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, thuhet nga ana e Prokurorisë.
Avokati mbrojtës i Dragisha Viqentijeviq, i tha televizionit se i njëjti nuk e ka pranuar fajësinë, derisa avokati i Viqentijeviq, ka thënë për televizionin se nuk është e vërtetë dhe se kush do që e ka thënë këtë ka gënjyer.
Të dy këta, janë të dyshuar për veprat penale të terrorizimit përfshirë ‘Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, e armëmbajtje pa leje.
Më 29 nëntor, kanali i ujit të Ibër – Lepencit u sulmua me eksploziv, duke u dëmtuar një pjesë e tij. Nga ky kanal furnizohen me ujë një pjesë e qytetarëve të Kosovës, si dhe shfrytëzohet për ftohjen e termoelektranave të KEK-ut.
Pas sulmit, policia së bashku me prokurorinë realizuan bastisje, duke arrestuar disa persona, e duke sekuestruar armë, eksplozivë, uniforma e emblema. /Dukagjini/