Hovenier në takime lamtumirëse: SHBA angazhohet për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon

Hovenier në takime lamtumirëse: SHBA angazhohet për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon

Aktuale December 18, 2024 - 16:20

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka vazhduar me takime lamtumirës.

Hovenier u prit në takim nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ndërkaq pati një telefonatë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Në një postim në “X”, për takimin me komandantin e KFOR-it, Hovenier theksoi angazhimin e SHBA-ve për sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“SHBA është një kontribuues i rëndësishëm KFOR, misionin e NATO-s dhe mbetet e angazhuar fuqishëm për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke promovuar stabilitetin në rajon”, ka shkruar Hovenier.

Ndërkaq në telefonatën me Konjufcën, ambasadori amerikan ritheksoi partneritetin e qëndrueshëm mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës mbetet një themel për bashkëpunimin e ardhshëm. Unë shpresoj për progresin dhe suksesin e Kosovës në avancimin drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe aleancën euro-atlantike”, u shpreh Hovenier. /Telegrafi/