Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë Marrëveshje bilaterale për Mbrojtje dhe Siguri
Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bilaterale në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, në kuadër të vizitës zyrtare të Gjeneral Bashkim Jasharit në Berlin.
Marrëveshja u nënshkrua mes komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Shefit të Mbrojtjes të Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer.
Gjatë takimit bilateral, të dy gjeneralët diskutuan mbi sfidat globale dhe rajonale të sigurisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
FSK-ja tha se marrëveshja e nënshkruar siguron përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën në ofrimin e mbështetjes politike, ushtarake dhe ligjore për FSK-në në mbështetje të pjesëmarrjes në organizata ndërkombëtare.
Njëherësh fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë stërvitjet, trajnimet, mbështetjen teknike dhe logjistike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, thuhet ndër të tjerash në njoftim.