Lladrovci për Ali Ahmetin: Shembulli më i ndritur si mbrohet dhe lartësohet kombi, gjuha dhe flamuri
Me rastin e dhënies së “Çelësit të Qytetit” për Ali Ahmetin, nga ana e kryetarit të Komunës, Përparim Rama, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lartë jetën dhe veprën e Ahmetit.
“Çelësi i Qytetit” të cilin e pranove nga kryetari Rama me aq dashamirësi e mikpritje të shkëlqyer, është shenjë nderimi për jetën dhe veprën Tuaj të papërsëritshme, mbi katër dekada, për Kosovën dhe Prishtinën që në atë kohë ishte epiqendra e atdhetarizmit”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë i tij:
Vëlla Ali, me të drejtë ju quajti “hero i gjallë” kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe me meritë të plotë, keni marrë “Çelësin e Qytetit”, për qëndrueshmërinë Tuaj në rrugën atdhetare. Vëlla Ali, ti linde në Zajaz, por, hodhe shtat e u burrnove, mbi barrikada që në Pranverën e madhe të vitit 1981, për të mos u ndalur deri në çlirimin e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Çelësi i Qytetit” të cilin e pranove nga kryetari Rama me aq dashamirësi e mikpritje të shkëlqyer, është shenjë nderimi për jetën dhe veprën Tuaj të papërsëritshme, mbi katër dekada, për Kosovën dhe Prishtinën që në atë kohë ishte epiqendra e atdhetarizmit. Ky nderim nga Kryetari i Kryeqytetit, bart me vete historinë e hapave të parë kundër okupatorit serb bashkë me shokët tuaj të idealit, shumë prej të cilëve tashmë janë të përjetësuar në altarin e lirisë. Jeta dhe vepra jote Vëlla Ali, është shembulli dhe trashëgimia më e ndritur për brezat se si mbrohet dhe lartësohet kombi, gjuha dhe flamuri!
Faleminderit Përparim Rama!