Komandanti i KFOR-it takon zëvendëskomandantin e karabinierëve italianë

Komandanti i KFOR-it takon zëvendëskomandantin e karabinierëve italianë

Aktuale December 17, 2024 - 18:36

Sot, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, zhvilloi një takim me Zëvendëskomandantin e Karabinierëve Italianë, Gjeneral Lejtnant Mario Cinque, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

Gjatë takimit, ata shkëmbyen pikëpamje mbi çështje të ndryshme, duke përfshirë përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në favor të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, transmeton klankosova.tv.

Gjeneral Major Barduani shprehu mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të çmuar të Karabinierëve Italianë në KFOR dhe në stabilitetin rajonal.

Ndërkohë, Gjeneral Lejtnant Cinque vizitoi gjithashtu kontingjentin e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të dislokuar në Kosovë, ku falënderoi pjesëtarët për përkushtimin dhe kontributin e tyre të vlefshëm në mbështetjen e përpjekjeve të KFOR-it.