Procesi i zgjerimit të BE-së: Serbia të arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Kosovën
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën në Bruksel konkluzionet për procesin e zgjerimit të BE-së, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Turqinë, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Në takimin e ministrave të vendeve anëtare, Këshilli ripohon angazhimin për zgjerimin e BE-së në përputhje me konsensusin e miratuar që nga viti 2006 dhe Agjendën Strategjike të BE-së 2024-2029.
Në këtë kontekst, u bë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar këtë proces si thelbësor për përparimin e dy vendeve drejt integrimit evropian.
Këshilli vlerëson përkushtimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe përparimin në reformat kyçe, duke mirëpritur hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave.
Vlerësime pozitive janë dhënë për përparimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin me Europolin, megjithëse është theksuar nevoja për progres të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Këshilli kërkon nga Kosova të vazhdojë përpjekjet për fuqizimin e sistemit gjyqësor, mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe përmirësimin e administratës publike.
Po ashtu, mirëpritet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe përpjekjet për luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Në aspektin ekonomik, Këshilli vlerëson progresin e Kosovës në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe kërkon zbatimin e reformave strukturore të nevojshme.
Këshilli shpreh shqetësim të thellë për situatën në veri të Kosovës, duke bërë thirrje për de-përshkallëzim të tensioneve dhe shmangien e veprimeve provokuese.
Ai mbështet praninë e KFOR-it në këtë zonë dhe thekson rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për të garantuar sigurinë dhe demokracinë për të gjithë qytetarët.
Këshilli dënon aktet e dhunshme të vitit 2023 dhe kërkon llogaridhënie për sulmet kundër Policisë së Kosovës dhe trupave të KFOR-it.
Tutje inkurajon mbajtjen e zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse në komunat veriore, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.
Në konkluzionet për Serbinë, Këshilli nënvizon se përparimi i Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE është i lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Po ashtu kërkon nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Këshilli mirëpret riafirmimin e përkushtimit të Kosovës dhe Serbisë për Dialogun dhe kërkon zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre, përfshirë njohjen reciproke të dokumenteve dhe simboleve të Kosovës nga Serbia.
Ky vendim i Këshillit përforcon rëndësinë e bashkëpunimit dhe përmbushjes së detyrimeve për të dyja palët në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian./Telegrafi/