Nis takimi trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi
Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është duke u zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.
Sikur edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i përbashkët trepalësh mes tyre filloi pas orës 15:00.
Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, duke përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, Lajçak u ka raportuar ndërkohë përfaqësuesve të vendeve anëtare për gjendjen me dialogun dhe ka thënë se palët kanë treguar mungesë të qartë të gatishmërisë dhe vullnetit për të bërë ndonjë progres në zbatimin e marrëveshjes mes dy vendeve.
Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.