Partitë nuk heqin dorë nga kandidatët me vepra penale
Kandidatë që kanë dënime të plotfuqishme, mbi të cilët rëndojnë aktakuza për vepra të ndryshme penale, janë përfshirë në listat e partive politike. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për dekriminalizim të politikës, partitë kanë vazhduar të fusin në lista personat që kanë probleme me ligjin. Njohës të fushës së drejtësisë dhe politikës kanë kritika të ashpra për këtë çështje.
Kandidatët për deputetë, të cilët janë të ngarkuar me vepra penale dhe të natyrës korruptive, kanë nisur të kërkojnë votën e qytetarëve për zgjedhjet 2025. Kjo pasi disa grupeve parlamentare nuk u ka penguar e kaluara e errët e këtyre kandidatëve. Partia në pushtet në listën e saj ka më së shumti kandidat të tillë, ndërkaq pas kësaj vjen AAK-ja. Ndërkaq PDK-ja dhe LDK-ja qëndrojnë më të pastra në këtë çështje.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se partitë politike shkelën ligjin.
“Në lidhje me deputetët që kanë vepra penale, kemi një aktgjykim të gjykatës kushtetuese dhe ligjin për zgjedhjet që thotë që nëse tri vitet e fundit që një kandidat për deputet është i dënuar një vit ose më shumë atëherë atij nuk i lejohet pjesëmarrja në zgjedhje. Ne kemi parë që ka kandidatë për deputet që janë në procese gjyqësore dhe kjo nuk është një imazh i mirë i listave të tyre, pasi deputetët janë zëri i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë IKD-ja.
Integriteti i kandidatëve për deputetë në listat e grupeve parlamentare shfaqi kritika edhe nga spektri politik.
Analistja politike Magbule Shkodra shpreson që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos i certifikojë këta kandidatë.
“Një praktikë e tillë do të duhej të përfundonte. Ende nuk është pjekur niveli i pjekurisë se si duhet të jetë një kandidat që kandidon për deputet. Duhet të mos ketë asnjë proces të hapur, nuk ka aktakuzë të ngritur, sepse kështu siç është tash nuk është mirë as për neve si demokraci, por as si shoqëri”, tha Shkodra për rtv21.
Në zgjedhjet parlamentare do të marrin pjesë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.