Maqedonci jep hollësi për fabrikën e municionit që synohet të ndërtohet në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Maqedonci jep hollësi për fabrikën e municionit që synohet të ndërtohet në Kosovë

Aktuale December 17, 2024 - 08:39

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka dhënë hollësi për planin për ndërtimin e një fabrike të municionit në vendin tonë, si dhe për llojin e municionit që synohet të prodhohet.

Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Qeverisë së Kosovës me një prodhues shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Maqedonci në Tëvë1 tha: “Kjo kompani ka një traditë rreth 500-vjeçare të prodhimit të armëve… Kjo kompani ka shfaqur gatishmërinë që me mbështet Kosovën në ndërtimin e fabrikës. Është marrëveshje shumë e rëndësishme për vendin tonë, veçanërisht për industrinë e mbrojtjes. Ne jemi të fokusuar në dy prej municioneve që shpenzohen më së shumti gjatë trajtimeve dhe operacioneve në njësitë ushtarake në atë 5.56 milimetra, që është një municion standard për armët e këmbësorisë si dhe municioni 7.62 milimetra që është municion që përdoret në mitralozat e lehtë…”.

Ai tha se, për shkak të ndjeshmërisë së temës, nuk mund të japë ndonjë afat të saktë për funksionalizimin e fabrikës, por se mund të nevojitet më shumë se një vit.

“Për shkak të ndjeshmërisë që ka kontrata e kam të pamundur të japë një afat specifik kohor, mirëpo nuk do të marrë kohë gjatë funksionalizimi i kësaj fabrike. E shumta që mund të kalojë, është mbi një vit dhe me pak se dy vjet”, deklaroi ministri i Kurtit.