Sulmi në Ibër Lepenc, Rutte: Tregoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i brishtë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, ka folur për sulmin e 29 nëntorit që ndodhi në kanalin e Ibër Lepencit.
Rutte tha se ky sulm tregon për brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Shefi i NATO-s, me këtë rast e ka falënderuar komandatin e KFOR-it Enrico Barduani, për siç tha ai, vendosjen e shpejtë të trupave për të siguruar infrastrukturën kritike.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar që misioni i KFOR-it të përmbushë mandatin e OKB-së. Është e rëndësishme që ata që qëndrojnë pas këtij sulmi të përgjigjen”, tha Rutte.
Këtë deklaratë ai e dha në një konferencë për media që e mbajti me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq.
Ai shtoi se Mali i Zi është një aleat i Aleancës që respekton rregullat dhe ndan shumat e përcaktuara për mbrojtjen.
“Për shtatë vjet, Mali i Zi ka qenë një anëtar i respektuar i NATO-s. Ju mbështesni praninë tonë ushtarake në Letoni, Bullgari. Gjithashtu, ju ndihmoni në ruajtjen e paqes përmes misionit në Kosovë. Kontribuoni në sigurimin e një sigurie më gjithëpërfshirëse dhe efektive në Irak”, shtoi ai.
“Ne kemi diskutuar shumë gjëra, jemi të shqetësuar për Ukrainën dhe jam mirënjohës për mbështetjen ndaj Ukrainës, si dhe pajisjet ushtarake.
Folëm gjithashtu për aktivitetet armiqësore ruse në territorin e NATO-s, pamë shumë sulme kibernetike, dezinformata politike. Ndërhyrja, sabotimi kundër aleatëve të NATO-s është nën kërcënim të vazhdueshëm nga Rusia dhe aktorë të tjerë masa të forta për të përballuar kërcënimet hibride”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. /KlanKosova.tv