Vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes, nënshkruhet kontrata për fabrikën e municioneve

Vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes, nënshkruhet kontrata për fabrikën e municioneve

Aktuale December 16, 2024 - 17:58

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është nënshkruar një kontratë historike me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), për vënien në funksion të fabrikës së municioneve në Kosovë.

“Sapo nënshkruam kontratë me MKE, me të cilën po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes. Fabrika e re do të prodhojë municione të kalibrave të ndryshëm, sipas standardeve të NATO-s,” ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Kontrata përfshin furnizimin me makineri prodhuese, trajnimin e stafit, mirëmbajtjen për një periudhë të caktuar kohore, si dhe pajisjen me sisteme për testim të cilësisë dhe kalibrim.

Pas nisjes së prodhimit, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe do të jetë markë 100% vendore.

Ky hap i rëndësishëm pritet të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve vendore dhe të sigurojë një bazë të qëndrueshme për industrinë e mbrojtjes në Kosovë.